Juventusi e gjen zëvendësuesin e Zhegrovës
Edon Zhegrova mund të jetë drejt fundit të aventurës së tij te Juventusi pas një sezoni zhgënjyes.
Drejtuesit e klubit Bardhezi duket se tashmë kanë gjetur një alternativë brenda klubit, shkruan “Onefootball”.
Sipas raportimeve, “Zonja e Vjetër” mund ta konsiderojë shitjen e sulmuesit nga Kosova nëse vjen një ofertë e përshtatshme, duke e parë se forma e tij nuk ka qenë në nivelin e pritur, sidomos pas lëndimit të rëndë në ligamentet e gjurit që e pësoi në kohën kur luante te Lille.
E si zëvendësues ideal të yllit kosovar “Bianconeri” e shohin Adin Licinan, 19-vjeçari që të gjithëve ua kujton Kenan Yildiz kur kishte arritur në Torino në vitin 2022.
Licina ka ushtruar me ekipin e parë, por hapat e parë në Torino i ka marrë me ekipin e të rinjve Juventus Next Gen.
Jo vetëm Zhegrova, por edhe disa nga afrimet e verës së kaluar nuk kanë bindur plotësisht në Torino.
Emrat si Jonathan David apo Loïs Openda nuk e kanë dhënë vazhdimësinë e pritur, ndërsa gjiganti italian po e rishikon strategjinë për sezonin e ardhshëm.
Në këtë situatë, Juventus mund të zgjedhë të mos investojë sërish në treg për një zëvendësues të drejtpërdrejtë, por t’i japë besim një talenti që po spikat nga brenda.
(Kosova Sot Online)
