Flick: Gjithmonë duam ta fitojmë Championsin

  • A.P /
  • 15 April 2026 - 12:30
Flick: Gjithmonë duam ta fitojmë Championsin

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur për “Sky Sport” pas eliminimit nga Champions League, duke e treguar zhgënjimin, por edhe besimin për të ardhmen e skuadrës katalunase.

Fitorja 2:1 në shtëpinë e Atletico Madridit nuk ishte e mjaftueshme për “Blaugrana”, të cilët e bënë një lojë fenomenale në “Metropolitano”, por që iu kushtoi humbja në duelin e parë çerekfinal të luajtur javën e kaluar në “Camp Nou”, 0:2.

Trajneri gjerman e theksoi ambicien e klubit për të qenë gjithmonë në majë të Evropës: “Jemi Barcelona dhe duam gjithmonë ta fitojmë Champions Leaguen. Ky është objektivi ynë”, u shpreh ai.

Flick e vlerësoi paraqitjen e ekipit, pavarësisht eliminimit, duke nënvizuar se skuadra tregoi karakter dhe dominim në shumë momente të ndeshjes.

“Lojtarët dhanë gjithçka në fushë. Kemi bërë shumë gjëra mirë, por duhet të përmirësohemi në disa detaje që e bëjnë diferencën në këtë nivel”, deklaroi tutje ai.

Flick e pranoi se në Champions League çdo gabim ndëshkohet menjëherë: “Në këto ndeshje vendosin episodet. Duhet të jemi më të saktë dhe më të fortë në momentet kyçe.”

(Kosova Sot Online)