Povetkin: Ke guxim të vish në Rusi, Fury?

  • S.A /
  • 24 September 2020 - 11:24
Povetkin: Ke guxim të vish në Rusi, Fury?

Stadiumi Luzhniki i Moskës është vendi i mundshëm për meçin e planifikuar të Alexander Povetkinit kundër kampionit të botës, Tyson Fury, sipas Andrey Ryabinskiy, promotorit të boksierit rus.

Povetkin synon ta mbrojë statusin e sfiduesit mandator për titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë, WBC – i cili mbahet nga Fury – në një rimeç kundër Dillian Whyte më 21 nëntor.

Boksieri veteran rus e tronditi boksierin britanik Whyte duke e nokautuar, me ç’rast ia prishi planet për të luftuar kundër Fury për titullin në WBC.

I pyetur nëse Povetkin synon të luftojë kundër Fury, Ryabinskiy tha për Sky Sports: “Po punojmë në këtë drejtim”.

“Lufta për titullin e botës është një ngjarje e madhe në karrierën e çdo boksieri dhe natyrisht se ne do të kërkojmë një mundësi për titullin në WBC”, shtoi ai.

Stadiumi i Moskës, i cili i ka 80 mijë ulëse, është ndër vendet e mundshme ku mund të zhvillohet meçi.

“Pse jo? Ky është ndër vendet e mundshme”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )