Krasniqi do të mundohet t’ia marrë dy breza të artë Boeselit

  • G.G /
  • 24 September 2020 - 16:24
Krasniqi do të mundohet t’ia marrë dy breza të artë Boeselit

Haxhi Krasniqi është i vendosur për ta fituar titullin e kampionit të botës në boksin profesionist. Një fitore eventuale më 10 tetor do ta bënte atë kampion në versionet WBA dhe IBO

Haxhi Krasniqi është duke punuar intensivisht pasi e mësoi datën dhe kundërshtarin e meçit të tij të ardhshëm.

Boksieri kosovar do të përballet me gjermanin Dominic Boesel më 10 tetor në “METEC Arena” në Magdeburg të Gjermanisë.

33 vjeçari do ta ketë mundësinë e tretë për t’u bërë shqiptari i parë kampion bote në boksin profesionist pasi kishte dështuar në dy tentimet e tij të para.

Krasniqi në fakt do të jetë sfidues në këtë meç pasi Boesel i mban dy breza të artë, në versionet WBA dhe IBO në peshat gjysmë të rënda.

Për boksierin gjerman do të jetë hera e parë që e mbron titullin e kampionit të botës, të cilin e kishte fituar në nëntor të vitit të kaluar pasi e kishte mposhtur Sven Fornlingun.

30 vjeçari synon ta mbajë fronin dhe të japë një performancë të madhe.

Nga ana tjetër, Krasniqi ka bërë përvojë të madhe dhe ka qenë kampion në versionin WBA Continental.

Ai është përballur me boksierë të fortë si Arthur Abraham dhe Juergen Braehmer.

Tash, boksieri junikas do ta ketë një mundësi të tretë për ta shfrytëzuar dhe është i vendosur për të mos dështuar këtë radhë.

Boesel e ka një rekord prej 30 fitoresh, prej tyre 12 me nokaut, ndërsa ndërkohë e ka edhe një humbjeje.

Nga ana tjetër, Krasniqi i ka 50 fitore, prej tyre 18 me nokaut, dhe 6 humbje. 

(Kosova Sot Online)