“Salah është hero në jetë reale” – flet i pastrehu që u shpëtua nga ylli i Liverpoolit

  • G.G /
  • 07 October 2020 - 11:33
“Salah është hero në jetë reale” – flet i pastrehu që u shpëtua nga ylli i Liverpoolit

Ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah, ndërhyu për ta shpëtuar nga keqtrajtimi një njeri të pastrehë afër Anfieldit ditë më parë dhe për këtë veprim është cilësuar tani si hero në jetë reale.

Salah ishte ndalur në një pompë nafte në Liverpul në fund të muajit të kaluar dhe e kishte vërejtur se i pastrehu i quajtur David Craig, po ngacmohej nga një grup i vogël njerëzish.

Pasi nuk i kishte pëlqyer ajo që po e shihte, Salah kishte ndërhyrë, duke i paralajmëruar abuzuesit se edhe ata do të mundë të përballeshin me të njëjtin fat një ditë.

Ylli egjiptian më pas i dha para të pastrehut.

Ky veprim i tij, i cili u kap edhe nga kamerat e sigurisë, kishte domethënie të madhe për Craig.

“Salah ishte i mrekullueshëm me mua po aq sa është i mrekullueshëm në fushë për Liverpoolin”, tha Craig për The Sun.

“Ai i dëgjoi djemtë se çfarë po më thoshin mua dhe iu drejtua atyre duke u thënë ‘Pas pak vitesh mund të jeni edhe ju në të njëjtën gjendje’. E kuptova që nuk po përjetoja halucinacione vetëm pasi Mo m’i dha 100 funte. Çfarë legjende!” shtoi ai.

“Mo është hero në jetë reale për mua dhe dua ta falënderoj”. 

(Kosova Sot Online)