Maqedonia Veriore – Kosova: Dardanët në kërkim të finales që mund t’i dërgojë në Euro 2020

  • G.G /
  • 08 October 2020 - 09:38
Maqedonia Veriore – Kosova: Dardanët në kërkim të finales që mund t’i dërgojë në Euro 2020

Kosova do të kërkojë ta kalojë pengesën e parafundit, në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian për herë të parë në histori të vet, sonte kur të përballet me Maqedoninë e Veriut në Shkup.

Kombëtarja e Kosovës është mysafire e Maqedonisë së Veriut në Arenën Kombëtare Todor Proeski, në një ndeshje gjysmëfinale të play-off’it për pjesëmarrje në Euro 2020, që zhvillohet sonte në orën 20:45.

Fituesi i këtij takimi përballet me fituesin e takimit Bjellorusi – Gjeorgji në finalen e nëntorit për një vend i fazën grupore në Euro vitin e ardhshëm.

Kosova e ka përjetuar rënie drastike në formë, duke i humbur katër nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, përfshirë ndeshjen e fundit muajin e kaluar kundër Greqisë në Ligën e Kombeve në Prishtinë.

Për më tepër, trajneri zviceran i verdhekaltërve do të përballet me kokëçarje, për shkak të mungesa të mëdha në çdo repart.

Portieri Samir Ujkani, kapiteni Amir Rrahmani, mesfushorët Hekuran Kryeziu, Idriz Voca dhe Besar Halimi, si dhe sulmuesit kryesorë Vedat Muriqi dhe Milot Rashica mungojnë për shkak të lëndimeve.

Challandes tha në konferencë për media para ndeshjes se nuk do t’i qajë mungesat, sepse ka alternativa për t’i zëvendësuar ato.

“Maqedonia e Veriut ka një ekip të mirë, ja kam shikuar ndeshjes. Ka bërë lojë të mirë me Armeninë, e sidomos me Gjeorgjinë. Kemi alternativa për t’i zëvendësuar mungesat, edhe pse jo shumë. Por, në sulm nuk kemi alternative të duhur të Vedatit. Filozofinë e lojës nuk do ta ndërrojmë edhe nëse nuk luan Vedat Muriqi. Nuk e kemi as Rashicën,” tha Challandes para ndeshjes.

Ai shtoi: “E njoh Kosovën, i njoh lojtarët e mi. E njoh mentalitetin tuaj, e njoh paksa edhe historinë tuaj. Do ta kem një ekip luftëtarësh në fushë, jam i bindur për këtë. Nuk është vetëm një ndeshje futbolli”

Ndërkohë, shteti fqinj i ka vetëm dy mungesa në këtë takim, portieri Martin Bogatinov dhe ylli i Napolit, Elif Elmas.

Maqedonia është në formë më të mirë kohëve të fundit, pasi i ka tri fitore, një barazim dhe dy humbje në gjashtë ndeshjet e fundit.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të dyja në kërkim të pjesëmarrjes së parë historike në një kampionat evropian, e siguruan këtë mundësi të artë për kualifikim pasi i fituan grupet e veta përkatëse në Ligën D në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve.

(Kosova Sot Online)