Kosova me shumë mungesa, por UEFA e paralajmëron Maqedoninë

  • G.G /
  • 08 October 2020 - 16:53
Kosova me shumë mungesa, por UEFA e paralajmëron Maqedoninë

Pa kapitenët Ujkani e Rrahmani, pa sulmuesit Muriqi e Rashica – ama UEFA ka paralajmëruar Maqedoninë përmes një video se ‘Dardanët’ kanë lojtarë të tjerë në skuadër, veçuar Arbër Zenelin.

Kosova do të kërkojë ta kalojë pengesën e parafundit, në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian për herë të parë në histori të vet, sonte kur të përballet me Maqedoninë e Veriut në Shkup.

Fituesi i këtij takimi përballet me fituesin e takimit Bjellorusi – Gjeorgji në finalen e nëntorit për një vend në fazën grupore në Euro vitin e ardhshëm.

Fatkeqësisht, për shkak dëmtimesh por edhe situatës me COVID-19, Kosova do të jetë pa portierin Samir Ujkani, kapitenin Amir Rrahmani, mesfushorët Hekuran Kryeziu, Idriz Voca dhe Besar Halimi, si dhe sulmuesit kryesorë Vedat Muriqi dhe Milot Rashica.

Megjithatë, faqja zyrtare e UEFA-s në gjuhën gjermane ka publikuar një video në ‘Twitter’, duke ia bërë me dije Maqedonisë së Veriut se Kosova ka një tjetër lojtar në skuadër që mund të bëjë diferencën dhe ai është Arbër Zeneli, teksa ka publikuar një video teksa shënonte het-trik në ‘Fadil Vokrri’ vite më parë, futbollisti i parë në histori të Kosovës që e arrin këtë.

Megjithatë, ‘Dardanët’ duhet të kenë kujdes, pasi ka ndryshuar gjithçka pas pandemisë.

Kosova e ka përjetuar rënie drastike në formë, duke i humbur katër nga gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, përfshirë ndeshjen e fundit muajin e kaluar kundër Greqisë në Ligën e Kombeve në Prishtinë.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të dyja në kërkim të pjesëmarrjes së parë historike në një kampionat evropian, e siguruan këtë mundësi të artë për kualifikim pasi i fituan grupet e veta përkatëse në Ligën D në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve. 

(Kosova Sot Online)