Kosova U-21 e synon rikthimin te fitorja sonte

  • G.G /
  • 13 October 2020 - 11:18
Kosova U-21 e synon rikthimin te fitorja sonte

“Dardanët e rinj” do të paraqiten me mungesa ndaj Andorrës në ndeshjen kualifikuese për Euro 2021, e cila do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë

Ekipi kombëtar i Kosovës U-21 do të mundohet të rikthehet tek fitorja sonte.

“Dardanët e rinj” do të përballen me Andorrën U-21 në kuadër të Grupit 3 në kualifikimet e Evropianit 2021.

Verdhekaltrit vijnë nga humbja prej Austrisë edhe pse bënë një lojë të mirë para pak ditësh në Prishtinë.

Ekipi i Rafet Prekazit do të paraqitet me mungesa ndaj Andorrës.

Në ndeshjen e sontme Kosovës U-21 do t’i mungojnë katër futbollistë, të cilët rezultuan pozitivë në testin për COVID-19.

Në stërvitjen e djeshme ka mbizotëruar atmosferë e mirë dhe entuziazëm për rikthim te fitorja.

Futbollistët janë të vendosur ta japin më shumë se 100 për qindëshin nga vetja për t’i mbajtur tri pikët në shtëpi.

“Ne jemi të gatshëm për ndeshjen me Andorrën dhe do të japim 100 përqindshin tonë. E dimë që Andorra është ekip që duhet respektuar, ngase në ndeshjen e fundit ka barazuar me Anglinë (3:3), por ne presim fitore dhe secili prej nesh do të luftojë fortë në fushën e gjelbër për t’ia arritur këtij qëllimi. Normalisht, në fund mbetet të shohim se çfarë do të tregojë loja, por jemi optimist se kësaj radhe do të krijojmë më shumë raste dhe do t’i shfrytëzojmë ato”, deklaroi futbollisti Fuad Rahimi.

Optimist para kësaj loje shprehet edhe futbollisti tjetër kosovar, Kreshnik Krasniqi.

“Sigurisht se i gjithë ekipi do të luftojë deri në minutën e fundit për të marrë rezultatin që duam. Synimi është që ta mbizotërojmë lojën dhe të japim gola. Besoj që kemi mësuar nga gabimet e shfaqura në ndeshjen e kaluar dhe do të bëjmë lojë edhe më të mirë. E njohim Andorrën, janë ekip i fortë, por neve na mbetet që të jemi sa më kreativ në lojë dhe mendoj se kemi lojtarë kualitativ që dinë të krijojnë raste dhe t’i konvertojnë ato në gola. Gjithsesi, Andorra është një shtet i vogël, por kanë ekip me temperament luftarak. Në ndeshjen e parë kundër tyre e kemi dominuar lojën dhe besoj se njëjtë do të ndodhë edhe tani”, u shpreh ai.

Kosova i ka vetëm dy fitore në këto eliminator.

Ndeshja Kosovë – Andorrë do të luhet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 19:00. 

(Kosova Sot Online)