Fitorja kundër Feronikelit ia kthen vetëbesimin Prishtinës

  • G.G /
  • 22 October 2020 - 13:20
Fitorja kundër Feronikelit ia kthen vetëbesimin Prishtinës

Pasi e filloi në mënyrë zhgënjyese kampionatin e ri, përkundër transferimit të disa futbollistëve të shtrenjtë, FC Prishtina ka gjetur qetësi shpirtërore pikërisht në Drenas, prej nga vjen njëri prej klubeve me synime të mëdha, Feronikeli.

Bardhekaltrit dje e mposhtën si mysafirë “Niklin” me rezultat 2:1, duke e regjistruar kështu fitoren e dytë rresht. Prishtinasit me këtë fitore u ngjitën në vendin e dytë të tabelës me 11 pikë, tetë më pak sesa kryesuesi, Ballkani, i cili po ashtu e ka zhvilluar një ndeshje më shumë. Kështu, ekipi i Zekirija Ramadanit tani ka arritur bilanc prej 3 fitoreve, 2 barazimeve dhe 1 humbjeje.

Trajneri i porsaardhur në Prishtinë për ta fituar titullin e kampionit siç e kishte fituar me Feronikelin dhe Trepçën ’89 thotë se fitorja në Feronikel i ka dhënë zemër dhe ia ka kthyer vetëbesimin Prishtinës për vazhdim të kampionatit, shkruan Gazeta Express.

“I uroj futbollistët për fitoren në Drenas e cila gjithsesi ishte shumë e mundimshme, mirëpo tre pikë shumë të rëndësishme për rritjen e vetëbesimit në ekip dhe për ta vërtetuar që ato dy javë që i patëm pauzë, kemi punuar dhe kemi përmirësuar shumë gjëra”, ka thënë Ramadani.

Prishtinën në fundjavë e pret një tjetër sfidë e vështirë. Do të luajë kundër Gjilanit në kryeqytet. “Tani me këmbë në tokë të marrim ndeshjen e radhës në fundjavë”, u shpreh Ramadani, i cili e kishte zëvendësuar Armend Dallku në postin e trajnerit vetëm pak para fillimit të kampionatit të ri.

Dallku ishte larguar nga Prishtina pasi nuk e kishte garantuar titullin e kampionit siç i kishte kërkuar një pjesë e kryesisë së klubit, e cila pastaj e kishte angazhuar trajnerin shqiptar nga Maqedonia, i cili i ka fituar dy tituj të kampionit në Kosovë me dy ekipe të ndryshme. 

(Kosova Sot Online)