Berisha në formacionin e javës në Francë, me notë të njëjtë si Neymari

  • E.K /
  • 26 October 2020 - 12:22
Berisha në formacionin e javës në Francë, me notë të njëjtë si Neymari

Valon Berisha është përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës së fundit kampionatin francez Ligue 1, pas një paraqitje të shkëlqyer në fitoren e skuadrës së vet Stade de Reims 4:0 kundër Montpellier.

Përfaqësuesi i Kosovës Berisha luajti rol kyç për t’i ndihmuar Reimsit ta regjistrojë fitoren e parë në ligë këtë sezon të dielën.

Paraqitja e tij është vlerësuar lart nga gazeta më e madhe sportive në Francë, L’Equipe, e cila i ka dhënë atij notën shtatë dhe e ka përzgjedhur në 11-shën më të mirë të javës së tetë.

Notë të njëjtë e përditshmja franceze i dha edhe yllit të PSG-së Neymar.

Berisha luajti 83 minuta në këtë takim dhe i pati tri pasime kyçe në tri prej katër golave të skuadrës së vet.

Arbër Zeneli, ndërkohë, nuk ishte fare pjesë e skuadrës së Reimsit për këtë takim.

Skuadrës së dyshes kosovare iu deshën plot tetë ndeshje për ta arritur fitoren e parë, e cila ia vlejti, pas 2 barazimeve dhe 5 humbjeve.

Pa dyshim Reims e arriti suksesin më të madh këtë sezon duke e mposhtur 4:0 Montpellierin të dielën, në një takim ku gjithçka shkoi mirë me Berishën që shkëlqeu.

Përveç Berishës, edhe Dia dhe Foket zunë vend në formacionin e javës në Francë.

Berisha e ka fituar tashmë besimin e trajnerit David Guion, duke u paraqitur në shtatë prej tetë ndeshjeve të ligës deri tani.

Kosovari i ka edhe dy paraqitje në Ligën e Evropës për Reims, si dhe një gol të shënuar. 

(Kosova Sot Online)