3 futbollistë të Kosovës në formacionin e javës në ligat e mëdha evropiane

  • G.G /
  • 27 October 2020 - 15:53
3 futbollistë të Kosovës në formacionin e javës në ligat e mëdha evropiane

Fundjava e kaluar ishte e frytshme për disa futbollistë të caktuar të Kombëtares së Kosovës, të cilët me paraqitjet e tyre mbresëlënëse për ekipet e veta përkatëse, zunë vend në formacionet më të mira të javës në ligat e mëdha evropiane.

Valon Berisha, Mërgim Vojvoda dhe Bernard Berisha shkëlqyen për ekipet e veta përkatëse duke marrë nota të larta dhe duke u vlerësuar në mesin e më të mirëve në Evropë,

Valon Berisha

Berisha u përzgjodh në formacionin më të mirë të javës së fundit në kampionatin francez Ligue 1, pas një paraqitje të shkëlqyer në fitoren e skuadrës së vet Stade de Reims 4:0 kundër Montpellier.

Përfaqësuesi i Kosovës Berisha luajti rol kyç për t’i ndihmuar Reimsit ta regjistrojë fitoren e parë në ligë këtë sezon të dielën. Paraqitja e tij është vlerësuar lart me notën shtatë, njëlloj si edhe ylli i PSG-së Neymar.

Berisha luajti 83 minuta në këtë takim dhe i pati tri pasime kyçe në tri prej katër golave të skuadrës së vet.

Mërgim Vojvoda

Mbrojtësi i krahut të djathtë e pati një tjetër paraqitje shumë të mirë si titullar për Torinon dhe kontribuoi me një asist.

25-vjeçari nga Skenderaj luajti 62 minuta në një terren të vështirë me dukshmëri të ulur për shkak të mjegullës në Udine.

Ai asistoi te goli i parë i Torinos i shënuar nga Linetty në barazimin 3:3 kundër Udineses.

Vojvoda u vlerësua me notën 7.4 dhe zuri vend në formacionin e javës në Serie A.

Bernard Berisha

Anësori Berisha e pati paraqitjen më mahnitëse nga të gjitha futbollistët kosovarë në Evropë këtë fundjavë, duke shkëlqyer me dy gola dhe një asist.

Berisha ishte më meritoi që skuadra e tij FK Akhmat e mposhtu FC Ufan 3:1, duke kontribuar në të tri golat.

29-vjeçari i shënoi dy gola dhe asistoi një herë të shtunën.

Ai realizoi nga penalltia dhe më pas një solo gol duke e kaluar pothuajse tërë fushën me top para se ta driblonte portierin kundërshtar për të shënuar gol brilant.

Ai mori notën 9.2 për këtë paraqitje dhe natyrisht zuri vend në formacionin e javës në Rusi.

(Kosova Sot Online)