Reagimi i Xhakës pas fitores së parë të Arsenalit kundër Man Unitedit në Old Trafford pas shumë viteve

  • G.G /
  • 02 November 2020 - 09:31
Reagimi i Xhakës pas fitores së parë të Arsenalit kundër Man Unitedit në Old Trafford pas shumë viteve

Granit Xhaka thotë se ndihet krenar me skuadrën e Arsenalit, pas fitores së parë kundër Manchester Unitedit në Old Trafford në Premierligë që prej vitit 2006.

Një penallti nga Pierre-Emerick Aubameyang në pjesën e dytë i mjaftoi skuadrës së Mikel Artetës ta mundë 1:0 Unitedin të dielën pasdite në Old Trafford.

Kjo ishte fitorja e parë për topçinjtë në këtë fushë që prej vitit të largët 2006.

Këto tri pikë të vlefshme i ndihmojnë Arsenalit të ngrihet në pozitën e tetë me 12 pikë, duke e lënë Unitedin në pozitën e 15-të me shtatë pikë.

Përfaqësuesi dhe kapiteni shqiptar i Zvicrës, Xhaka, u la ta ngrohë stolin për 90 minuta dhe s’u përdor fare nga Arteta në këtë triumf.

Gjithsesi, mesfushori nga Kosova është shumë i lumtur me fitoren e bashkëlojtarëve.

Në një reagim në Instagram pas ndeshjes, Xhaka shkroi: “Çfarë ndjenje të fitosh në Old Trafford! Shumë krenar me ekipin tonë!”

Xhaka ka luajtur në të gjitha ndeshjet e Arsenalit në Premierligë deri para kësaj me Unitedin këtë sezon dhe është ende në kërkim të gol të parë.

Në përgjithësi, 28-vjeçari i ka bërë nëntë paraqitje për klubin nga Londra veriore këtë sezon. 

(Kosova Sot Online)