FFK-ja më në fund ua tërheq vërejtjen gjyqtarëve, pasi e pranon se gabuan në referim

  • G.G /
  • 02 November 2020 - 14:23
FFK-ja më në fund ua tërheq vërejtjen gjyqtarëve, pasi e pranon se gabuan në referim

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka pranuar se gjyqtarët e saj kanë bërë disa gabime trashanike në referim në ndeshjet e kësaj fundjave në Superligë, gjë që çoi në reagime dhe kritika të ashpra nga klubet dhe trajnerët.  

Llapi u dëmtua rëndë nga referimi kontrovers i gjyqtarit Visar Kastrati në humbjen kundër Dritës 2:1 të dielën në Podujevë, i cili nuk i referoi dy penallti dhe një karton të kuq në favor të skuadrës së Tahir Batatinës.

Kastrati nuk i dha penallti Llapit për një prekje të topit me dorë nga një futbollist i Dritës në vijën e portës në pjesën e parë. Në rastin tjetër në pjesën e dytë, Kastrati dha goditje dënimi për Llapin për prekje të topit me dorë nga një mbrojtës i gjilanasve, edhe pse incidenti ndodhi dukshëm brenda zonës.

Ndërkohë që Llapi e paralajmëroi tërheqjen nga Superliga si shenj proteste ndaj referimit dhe shprehu mllef në rrjetet sociale, trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi nuk u përmbajt në rrjetet sociale duke e kritikuar federatën dhe gjyqtarët.

Kjo ka bërë që kryetari i FFK-së Agim Ademi të mbajë sot takim me shefin e gjyqtarëve, Përparim Hasanin dhe t’i paralajmërojë gjyqtarët se do t’i dërgojë për të referuar në ligat më të ulëta nëse përsëriten gabimet.

“Pas fillimit të ndeshjeve të fazës së dytë në Superligë dhe analizimit të rasteve kontestuese në xhirot e fundit nga profesionistë të ndarjes së drejtësisë, presidenti Agim Ademi, nënkryetari Agim Dibrani, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani kanë mbajtur takim me gjyqtarët e Superligës”, thuhet në një njoftim të FFK-së.

FFK paralajmëroi: “Me këtë rast, presidenti Ademi ka kërkuar nga gjyqtarët që të jenë sa më vigjilent dhe ta kryejnë punën e tyre në përpikëri, derisa ua ka bërë të qartë se masat ndaj atyre që do të bëjnë gabime do të jenë të ashpra, deri në delegim në ligat më të ulëta.”

Organi qeverisës i futbollit vendor i ka paralajmëruar edhe klubet dhe trajnerët se mund të përballen me ndëshkim, nëse nuk përmbahen në deklaratat e tyre.

“Po ashtu, FFK u bën thirrje edhe drejtuesve të klubeve që të mos bëjnë deklarata të pamatura dhe presion tek gjyqtarët, sepse gjërat e tilla nuk do të tolerohen.”

(Kosova Sot Online)