Alberto zbulon se Lazio s’po i paguan futbollistët: “Presidenti blen avion, ndërsa neve s’po na paguajnë”

  • G.G /
  • 14 November 2020 - 13:08
Alberto zbulon se Lazio s’po i paguan futbollistët: “Presidenti blen avion, ndërsa neve s’po na paguajnë”

Nuk kanë fund problemet për Lazion.

Sikurse të mjaftonin telashet për hetimin mbi shkeljen e protokollit sanitar, klubi bardhekaltër ka edhe probleme të brendshme që kanë të bëjnë me pagat e futbollistëve.

Deklaratave të administratorit të deleguar të Interit Beppe Marotta se futbolli italian po shkon drejt falimentimit u ka hedhur akoma edhe më shumë zjarr një futbollist i Lazios i cili në një farë mënyre ka evidentuar problematikat e fundit dhe ka thumbuar presidentin Lotito.

Luis Alberto, spanjolli i Lazio, teksa po luante Playstation dhe ishte drejtpërdrejt në Twitch, u ngacmua në lidhje me avionin që presidenti Claudio Lotito ka blerë së fundmi.

“Kam dëgjuar në lidhje me avionin”, thotë fillimisht Luis Alberto. Ai nuk ndalet me kaq: “Gjithsesi ai mund të na paguante ne. Ata blejnë gjëra dhe nuk na paguajnë”. Sikurse kuptohet, Lazio është një nga klubet italiane që ka pasur probleme me pagesat gjatë kësaj periudhe.

(Kosova Sot Online)