Laporta: Messi e do Barcelonën

  • S.A /
  • 30 November 2020 - 14:00
Laporta: Messi e do Barcelonën

Kandidati potencial për t’u bërë president i Barcelonës është optimist se ylli argjentinas do ta ndërrojë mendjen dhe se do ta vazhdojë karrierën në “Camp Nou”, përkundër spekulimeve për një largim të mundshëm në fund të sezonit.Lionel Messi e do Barcelonën. Kështu thotë Joan Laporta, i cili e ka shprehur optimizmin e tij se ylli argjentinas do të qëndrojë në “Camp Nou” pasi ish-presidenti i Barçës ta fitojë mandatin e tij të dytë në udhëheqje të këtij klubi. 33 vjeçari dëshironte të largohej nga Barcelona gjatë afatit të fundit kalimtar, por klubi nuk e lejoi atë ta bënte një gjë të tillë.

Në muajin gusht, pas humbjes së thellë nga Bayern Munichu, Messi e kishte shprehur dëshirën për ta ndërruar mjedisin. Spekulohej se ai mund t’i bashkohej Manchester Cityt. E për vitin 2021, në garë synon të futet edhe Paris Saint-Germaini. Mirëpo, Laporta beson se gjashtë herë fituesi i Topit të Artë do të qëndrojë në klubin ku u rrit si futbollist. “Askush që e do Barcelonën nuk mund të ketë dyshime për Messin. Shpresoj të mund të emërohem president dhe pastaj do të flas me të. Messi e do Barcelonën”, deklaroi 58 vjeçari, i cili e kishte udhëhequr klubin katalunas në periudhën e lavdishme 2003 deri në 2010.

“Ne e refuzuam një ofertë prej 250 milionë eurosh që erdhi nga Interi në vitin 2006. Massimo Moratti donte ta sillte atë në klubin e tij”, nënvizoi ai.

“Ne e kemi një plan për ta rimarrë në dorë situatën dramatike ekonomike të klubit”, vazhdoi Laporta.

“Ne nuk mund ta rregullojmë botën, por mund ta bëjmë atë një vend më të mirë dhe duam ta bëjmë atë përmes fjalëve të forta, pasionit dhe dashurisë. Ne duam t’ju sjellim lumturi njerëzve, nuk është një premtim elektoral. është një angazhim etik, qytetar dhe moral”, përfundoi Laporta. 

(Kosova Sot Online )