Foreman: Tyson mund t’i mposhtë Furyn e Joshuan dhe të bëhet përsëri kampion bote

  • S.A /
  • 03 December 2020 - 12:40
Foreman: Tyson mund t’i mposhtë Furyn e Joshuan dhe të bëhet përsëri kampion bote

Meçi i bamirësisë midis Mike Tyson dhe Roy Jones Jr e la shumë njerëz gojëhapur të shtunën, mbi të gjitha për shkak të nivelit të shkëlqyer që tregoi Mike në ring.

Tyson në moshën 54-vjeçare i tregoi shumë nga cilësitë që e bënë atë një legjendë në boks, pavarësisht se gjyqtarët e vlerësuan luftën si të barabartë.

Një nga zërat që ka lavdëruar Tyson është edhe George Foreman, kampioni më i vjetër i botës i të gjitha kohërave si 45-vjeçar, i cili e vlerësoi lart amerikanin.

“Nëse ai e gjen formën që e ka tani dhe pastaj të gjitha gjërat e tjera bien në vendin e vet, atëherë ai mund ta ketë një mundësi për të luftuar për titull”, tha Foreman.

“Tyson dukej i shkëlqyeshëm dhe mund ta mposhtë një kampion në fuqi”, shtoi ai, duke aluduar në Tyson Fury dhe Anthony Joshua.

 

“Dhe Roy Jones duhej të përdorte çdo aftësi të vjetër nga libri për të mos u rrëzuar. Unë thjesht nuk mund ta besoja atë që e pashë. Dhe ky ishte vetëm një ekzibicion.”

“Thjesht mendojeni sikur Tyson të ishte aktiv në dy vjetët e fundit, ai do të ishte në radhë për të qenë përsëri kampion i botës në moshën 54, 55 vjeç”.

Pavarësisht kësaj, Tyson tashmë e ka bërë të qartë se ai nuk ka ndërmend të kthehet në boksin konkurrues dhe do të futet në ring vetëm për meçe të bamirësisë.

(Kosova Sot Online )