Drita ndalet nga Arbëria, Drenica dhe Trepça ’89 barazojnë pa gola

  • G.G /
  • 14 December 2020 - 15:53
Drita ndalet nga Arbëria, Drenica dhe Trepça ’89 barazojnë pa gola

Drita është ndalur me një barazim 1:1 nga Arbëria, duke dështuar ta shfrytëzojë humbjen e Ballkanit kundër Prishtinës për ta rritur epërsinë në krye të Superligës. Në ndeshjen e fundit të javës së 18-të, Drenica dhe Trepça ’89 barazuan pa gola.

Hamdi Nimani shënoi në anën e gabuar të fushës për t’ia dhuruar klubit të sapopromovuar në elitë një pikë të madhe, pasi Kastriot Rexha e kishte kaluar Dritën në epërsi herët në takim në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.

Arbëria ia ndërpreu kampiones në fuqi serinë prej katër fitoreve radhazi, duke ia shkaktuar barazimin e katërt në 17 ndeshje deri tani këtë sezon.

Pavarësisht barazimit, Drita ngel lidere e Superligës tani madje me dy pikë më shumë se Ballkani, i cili u mund nga Prishtina të dielën.

Arbëria, në anën tjetër, ngrihet në pozitën e gjashtë, por me vetëm dy pikë më shumë se zona e rënies nga liga, ku gjendet Drenica.

Në ndeshjet tjetër të javës së 18-të, Drenica dhe Trepça ’89 i ndanë pikët në Riza Lushta në Mitrovicë, në një duel të drejtpërdrejt të skuadrave që e kërkojnë mbijetesën në elitë.

Skuadra nga Skenderaj bie në pozitën e parafundit me 19 pikë, dy më pak se klubi mitrovicas që renditet i shtati. 

(Kosova Sot Online)