Joshua dhe Fury pranë arritjes së marrëveshjes për meçin unifikues për 220 milionë euro

  • S.A /
  • 14 December 2020 - 16:56
Joshua dhe Fury pranë arritjes së marrëveshjes për meçin unifikues për 220 milionë euro

Këtë javë pritet të fillojnë bisedimet për duelin e shumëpritur të boksit ndërmjet Anthony Joshua dhe Tyson Fury, dhe marrëveshja pritet të arrihet brenda dy ditësh.

Sipas promovuesit të boksit, Eddie Hearn, dy kampionët pritet t’i ndajnë për gjysmë përfitimet, gjegjësisht nga 100 milionë funte secili (110 milionë euro).

Meçi i kampionit të IBF, WBA, WBO e IBO dhe atij të WBC pritet të zhvillohet kah muaji maj i vitit të ardhshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar ose Arabi Saudite. 

“Të gjithë jemi pro atij meçi. E vetmja gjë që duhet zgjidhur është lokacioni dhe disa çështje televizive. Kaq”.

“Të gjithë (nga të dyja palët) janë pajtuar për financat, 50-50 për duelin e parë, 60-40 në duelin e dytë për fituesin”.

“Mund ta nënshkruajmë një marrëveshje dhe pastaj të bisedojmë për lokacione të ndryshme, të shohim se ku mund t’i marrim paratë”, ka deklaruar Hearn, citon MailOnline Sport.

Ai ka shtuar se shumë totale prej 220 milionë eurosh (nga 110 milionë euro secili) është ajo që presin dy boksierët nga një duel i tillë unifikues që fituesin do ta bënte kampion të padiskutueshëm në kategorinë e peshave të rënda. 

(Kosova Sot Online )