Arsenali në një botë tjetër pas dy fitoreve radhazi, thotë Arteta

  • S.A /
  • 30 December 2020 - 10:04
Arsenali në një botë tjetër pas dy fitoreve radhazi, thotë Arteta

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, thotë se skuadra e tij po jeton në një botë tjetër pas dy fitoreve radhazi në Premierligë, pas një ecurie të dobët dhe të vështirë muajt e fundit.

Arteta theksoi se fitorja 1:0 kundër Brighton të martën ishte tejet e rëndësishme për skuadrën e tij.

Pas fitores 3:1 kundër Chelseat në ditën e Krishtlindjes, Arsenali i regjistroi dy fitore radhazi për herë të parë që prej dy ndeshjeve hapëse të sezonit.

Goli i shkëlqyer i Alexandre Lacazette pas një asistimi nga Bukay Saka i mjaftoi skuadrës së Artetës t’i fitojë edhe tri pikë të tjera shumë të rëndësishme në këtë kohë.

Me këtë fitore, Arsenali ngrihet në pozitën e 13-të në Premierligë, me një epërsi prej nëntë pikëve ndaj zonës së rënies nga liga.

“Ne e dimë se kemi pasur vështirësi të korrnim rezultate. Fakti se fituam kundër Chelseat ishte një shtytje e madhe. Të vinim këtu dhe ta fitonim edhe një ndeshje tjetër ishte tejet e rëndësishme”, tha Arteta.

“Fitoret janë ilaçi më i mirë. Është një botë tjetër dhe një tregim tjetër. Tani duket shumë më mirë”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )