Krasniqi e papërmbajtshme, kalon në finale dhe ia siguron Kosovës një medalje nga Doha

  • S.A /
  • 11 January 2021 - 12:55
Krasniqi e papërmbajtshme, kalon në finale dhe ia siguron Kosovës një medalje nga Doha

Distria Krasniqi është vetëm një fitore larg medaljes së artë në Mastersin e Dohas, pasi e mundi francezen Melanie Clement për ta siguruar një vend në finale në Katar.

Xhudistja kosovare Krasniqi e nisi në mënyrë mahnitëse luftën duke e hedhur në dysheme kundërshtaren në luftën e tyre gjysmëfinale në kategorinë deri në 48 kilogramë.

Numri një i botës në kategorinë e saj tani e ka siguruar finalen dhe rrjedhimisht medaljen e argjendtë të paktën.

Kjo ishte fitorja e tretë e Krasniqit në Doha sot, pasi në rundin e dytë e mundi sllovenen Marusa Stanger me ippon, ndërsa në çerekfinale e mundi portugezen Catarina Costa.

Ajo e kaloi pa luftë rrethin e parë.

Nora Gjakova është në kërkim të finales dhe do të përballet me Tsukasa Yoshida në gjysmëfinale, ndërsa Majlinda Kelmendi është në çerekfinale, ku përballet me Evelyne Tschopp.

Mastersi i Dohas është i rëndësishëm sepse u siguron garueseve edhe pikë olimpike, të cilat janë të nevojshme për ta siguruar pjesëmarrjen ne Lojërat Olimpike Tokio 2020.

(Kosova Sot Online )