Mesut Ozil buzë kalimit në Fenerbahce – konfirmon drejtori sportiv i klubit turk
Duket se kohës së Mesut Ozilit në Arsenal po i vjen fundit, pasi drejtori sportiv i Fenerbahces Emre Belozoglu konfirmoi se mesfushori gjermano-turk është më afër se kurrë t’i bashkohet klubit turk.
Marrëveshja e 32-vjeçarit me Arsenalin mbaron në fund të këtij sezoni, por përfaqësuesit e tij kanë mbajtur bisedime me Fenerbahcen dhe DC Unitedin për kalimin e tij gjatë afatit kalimtar të janarit.
Ozil nuk është i regjistruar në skuadrat e Arsenalit për ndeshjet e Premierligës dhe Ligës së Evropës dhe nuk ka luajtur për topçinjtë që prej marsit.
Duke folur për mediat turke në lidhje me kalimin e mundshëm të Ozilit në Fenerbahce, Emre tha: “E kemi pasur një takim me të dhe menaxherin e tij. Mesut është më afër së kurrë më parë”.
Por Ozil duhet së pari të gjejë marrëveshje me Arsenalin rreth pagës, pasi ai është futbollisti më i paguar në klubin londinez, shumë të cilën Fenerbahce nuk ka mundësi t’ia paguajë.
“Pasi Ozil t’i përfundojë takimet me klubin e vet, ne do të mbajmë takime me të. Nëse Ozili pajtohet me klubin e tij për kushtet e tij, nuk do të jetë pengesë financiare për klubin tonë”.
“Fenerbahce dhe klubet e tjera nuk e kanë më fuqinë për të sjellë lojtarë me paga 4 apo 5 milionë euro në vit”, shtoi ai.
(Kosova Sot Online)