Kandidatët për president të Barcelonës nuk e duan transferimin e Eric Garcias

  • G.G /
  • 16 January 2021 - 10:03
Kandidatët për president të Barcelonës nuk e duan transferimin e Eric Garcias

Çështja mund të quhet e mbyllur, Eric Garcia nuk do t’i bashkohet Barcelonës në janar. Ishte objektivi kryesor i Barcelonës për merkaton e dimrit, por mungesa e konsensusit midis kandidatëve për president ka bërë që operacioni të dështojë.

Drejtuesit e “blaugranave” kishin marrëveshje me lojtarin dhe po avancohej edhe në bisedimet me Manchester Cityn, por, çuditërisht të tre kandidatët për presidencën e Barçës bllokuan nënshkrimin. Joan Laporta, për këtë çështje, u shpreh: “Ne nuk mund t’i japim të drejtë Bordit Drejtues për të marrë vendime të kësaj natyre. Ne kemi arritur në përfundimin se nëse është një lojtar që po përfundon kontratën e tij, duhet të presim. Tani duhet të paguanim transferimin, plus pagën e futbollistit”.

Pavarësisht performancës së pranueshme të Minguezas, dëmtimi i Piques, problemet fizike kronike të Umtiti dhe forma jo fort e mirë e Lenglet e detyruan Barçën të kërkonte një mbrojtës qendror.

Ramon Planes, sekretari teknik i klubit, ka pasur një marrëveshje të mbyllur që në muajin tetor me menaxherin e lojtarit (Eric Garcia) dhe klubi po përpiqej të arrinte konsensusin me Manchester Cityn, në mënyrë që 21-vjeçari spanjoll të mbërrinte brenda muajit janar në Kataluni.

Tani pritet të shihet se cili do të jetë reagimi i lojtarit ndaj kësaj shpërfilljeje të dukshme të Barçës.

(Kosova Sot Online)