Rashica i ka edhe dy mundësi për ta siguruar transferimin këtë muaj

  • S.A /
  • 20 janar 2021 - 11:56
Rashica i ka edhe dy mundësi për ta siguruar transferimin këtë muaj

Ylli kosovar do të mundohet të shkëlqejë në ndeshjet me Herthan dhe Schalken, për t’u transferuar në një klub tjetër në fund të afatit kalimtar të janarit.Milot Rashica nuk i ka humbur ende shpresat për t’u transferuar në një klub të ri gjatë janarit.Ylli kosovar u rikthye së fundmi në aksion pas lëndimit që e kishte lënë jashtë fushës së blertë për më shumë se një muaj e gjysmë. Dhe, 24 vjeçari ka nisur ta rikthejë formën dhe bëri paraqitje pozitive ndaj Borussia Monchengladbachut, ku e qëlloi edhe shtyllën. Ai paraprakisht i kishte zhvilluar disa minuta edhe në ndeshje me Augsburgun, kur ishte rikthyer nga lëndimi fundjavën që shkoi. Trajneri Florian Kohfeldt është i kënaqur me qasjen e përfaqësuesit kosovar, i cili po sheh dritë në fund të një tuneli. “Ishte një aksion tipik i Milotit. Ai është duke bërë punë të madhe këtu. Vetëm centimetrat e ndanë atë nga goli”, ka thënë ai.

“Ky ka mundur të ishte momenti i Milot Rashicës, por ai i ka edhe disa të tjerë…”, ka shtuar Kohfeldt. Rashica me këtë rast e lëshoi mundësinë e parë milion dollarëshe nga tri sa i kishte.Ai tash do t’i ketë edhe dy mundësi të tjera deri në fund të afatit kalimtar të janarit. Rashica do të mundohet ta tregojë veten edhe më 23 janar ndaj Herthas dhe më 30 të këtij muaji kundër Schalkes.Dhe, nëse bën paraqitje solide në këto dy takime, vushtrriasi mund ta sigurojë një kontratë në një klub më të madh evropian.Werder Bremeni është i gatshëm ta shesë ish-futbollistin e Vushtrrisë dhe Vitesses për 15 milionë euro këtë muaj. 

(Kosova Sot Online )