“Zoti e dërgoi Novakun për t’i treguar botës se serbët s’janë kafshë” – Babai i Djokovicit tenton t’i mohojë krimet e Serbisë

  • S.A /
  • 24 February 2021 - 12:03
“Zoti e dërgoi Novakun për t’i treguar botës se serbët s’janë kafshë” – Babai i Djokovicit tenton t’i mohojë krimet e Serbisë

“Zoti e dërgoi Novakun për t’i treguar botës se serbët s’janë kafshë” – Babai i Djokovicit tenton t’i mohojë krimet e Serbisë

Srdjan Djokovic, babai i tenistit numër një në botë Novak Djokovic, ka tentuar t’i mohojë krimet e Serbisë në Ballkan, duke pretenduar se djali i tij është dërguar nga perëndia për të dëshmuar para botës se serbët nuk janë kriminelë apo kafshë.

Srdjan ka thënë se ka ardhur koha që djali i tij të vlerësohet për arritjet e mëdha në tenis.

Djokovic e ka dominuar botën e tenisit të meshkujve në dekadën e fundit por asnjëherë nuk ka arritur ta fitojë adhurimin e publikut, veçanërisht kur është përballur me Roger Federer apo Rafael Nadal.

Publiku në stadiumet e tenisit ka qenë vazhdimisht kundër serbit edhe kur ai është përballur me tenist të rangut shumë më të ulët, gjë që është shumë e pazakontë për numrin një të botës në sportin e tenisit.

“Është gjithmonë Novaku kundër të gjithëve”, ka thënë Srdjan për mediat serbe.

Megjithëse Serbia është përgjegjëse për krime të rënda lufte në Bosnjë dhe Kosovë në vitet e 90-ta, si gjenocid dhe spastrim etnik, Srdjan tenton ta paraqesë atdheun e vet si vend normal.

“Në momentin më të keq për popullin serb, Novaku u dërgua nga Zoti për të dëshmuar se ne jemi njerëz normal dhe jo kriminelë apo kafshë”, shtoi ai.

Ai foli edhe për vizitën e Novakut në Mitrovicën e Veriut para disa viteve.

“Novak merr përkrahje fantastike në Kosovë, kur ishte atje para një kohe të gjatë, mijëra njerëz u mblodhën në Mitrovicë për ta pritur. Novaku nuk i ka sulmuar shqiptarët kurrë, ai thjesht i ka mbrojtur njerëzit e vet”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online )