Seria A më ka përmirësuar, Busquets dhe Pirlon i kisha shembuj, 5 ekipe po luftojmë për Scudetton

  • A.P /
  • 24 February 2021 - 19:31
Seria A më ka përmirësuar, Busquets dhe Pirlon i kisha shembuj, 5 ekipe po luftojmë për Scudetton

Matthijs De Ligt, pasi kaloi problemet në shpatull dhe u shërua nga Koronavirusi, javët e fundit ka rifituar vendin e tij si titullar në qendër të mbrojtjes së Juventusit edhe falë lëndimeve të Bonuccit dhe Chiellinit.

Qendërmbrojtësi i ri holandez vazhdon rrugën e tij të rritjes dhe për këtë falënderon Juventusin dhe futbollin italian. I intervistuar nga “Sky Sport”, 21-vjeçari deklaroi:

“Seria A më ka përmirësuar taktikisht. Tani i njoh të gjithë lojtarët, është më lehtë. Dua të përmirësohem më shumë. Nga Bonucci dhe Chiellini kuptoj vizionin e lojës dhe mënyrën se si duhet mbuluar kundërshtari.”

Kur ishte më i ri, megjithatë, De Ligt pëlqente më shumë rolin e regjisorit dhe një nga modelet e tij ishte Andrea Pirlo, tani trajneri i Juves.

“Kur luaja tek Ajaxi U-14 gjithmonë kam luajtur në mesfushë dhe merrja shembuj Busquets dhe Pirlon. Kam parë shumë video të Pirlos, më pëlqente si lojtar, ai ishte një shembull i shkëlqyeshëm për mua”.

Në fund, De Ligt përqendrohet në garën e titullin të Serisë A në të cilën, përveç Juventusit, Interit dhe Milanit, holandezi përfshin edhe dy skuadra të tjera.

“Ka shumë konkurrencë për “Scudetton”: ne, Interi, Milani, Roma dhe Atalanta jemi të gjithë në garë”.

(Kosova Sot Online)