Milani, Arsenali, Manchester United dhe Roma kërkojnë kalimin në rrethin tjetër të Ligës së Evropës

  • S.A /
  • 25 February 2021 - 11:06
Milani, Arsenali, Manchester United dhe Roma kërkojnë kalimin në rrethin tjetër të Ligës së Evropës

Pas kualifikimit të pritshëm të Tottenhamit për në fazën tjetër, të enjten në mbrëmje klubit londinez do t’i bashkohen edhe 15 klube të tjera për në fazën e 1/8, për të vijuar në këtë mënyrë edhe rrugën e gjatë drejt finales së madhe të edicionit të 12 në Europa League.

Edicioni i 50-të i kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës ka hyrë pa dyshim në fazën më të bukur, atë të ndeshjeve me eliminim të drejtpërdrejtë. Një fazë shumë e vështirë për një pjesë të madhe të klubeve për shkak edhe të periudhës tepër të ngjeshur të sezonit, ndërkohë përveç formacionit të Jose Mourinhos e kanë të sigurt pothuajse biletën mes 16 skuadrave më të mira edhe klube si Manchester United apo Shakhtar Donetsk.

Ndërkohë ekipe si Roma, Villarreal, Rangers, Dinamo Zagreb apo dhe Ajaksi i Amsterdamit janë vërtet shumë pranë fazës tjetër të “knock out”-it, duke patur parasysh që në takimin e kthimit skuadrave kundërshtare që qëndrojnë përballë do t’iu nevojiten të gjithave fitore minimalisht me dy gola diferencë, për më tepër jashtë fushës së tyre.

Një ndër sfidat me më shumë interes është natyrisht ndeshja Milan – Crvena Zvezda. Një javë më parë formacioni i Stefano Piolit dështoi për të fituar takimin ndaj bardhekuqve, pavarësisht faktit se ekipi lombard u gjend dy herë në epërsi dhe e lëshoi avantazhin pikërisht në sekondat e fundit, pas një goli të shënuar me kokë në 93’ nga qendërsulmuesi shtatlartë Milan Pavkov.

Ylli i Kuq i Beogradit ia doli mbanë kështu për të ruajtur të paprekur kolonën e humbjeve për këtë sezon në të gjithë kompeticionet në stadiumin Rajko Mitic. Për hir të së vërtetës ky është sezoni i katërt që crveno – beli po dominojnë kampionatin e Serbisë, për më tepër Zvezda ka pësuar vetëm 2 humbje gjithsej në 35 takimet që ka zhvilluar në total, në të gjithë aktivitetet që nga data 1 gusht kur nisi edicionin, me atë fitore të thellë ndaj Novi Pazarit.

Përjashtim pra bën thjesht eliminimi në Champions në Nikosia me Omonian në mesin e muajit shtator, si dhe disfata në fazën e grupeve me Hoffenheimin, por gjithsesi në të dy raste bëhet fjalë për humbje larg stadiumit “Marakana”.

Në krahun tjetër kuqezinjtë po mësohen gjithmonë e më shumë me pjesëmarrjen në Europa League dhe pse jo drejtuesit e klubit të famshëm milanez synojnë të vënë duart edhe te trofeu i vetëm që iu mungon në Kupat e Evropës, për t’u barazuar në këtë mënyrë edhe me 5 klubet e vetëm që i kanë fituar të gjithë titujt e mundshëm në Kontinentin e Vjetër: Juventus, Ajax, Bayern Chelsea dhe Manchester United. Javën e kaluar dueli Crvena Zvezda – Milan i pati të gjitha: gol të anuluar, autogol, dy penallti, 6 kartona të verdhë dhe një i kuq për 29-vjeçarin Milan Rodic, që e la skuadrën e drejtuar nga trajneri Dejan Stankovic me një futbollist më pak, në cerek oren e fundit të takimit.

Sikur të mos mjaftonin problemet me formacionin bardhekuqtë nuk kanë fituar asnjë nga 5 përballjet me Milanin në Kupat e Evropës, ndërkohë në krahun tjetër 55-vjeçari emilian nuk është se ka telashe të tilla, duke patur parasysh që të vetmit që mungojnë janë Bennacer, Brahim Diaz dhe Mandzukic. Vendasit kërkojnë të kthehen sa më shpejt që të jetë e mundur në rrugën e fitoreve, pasi dy humbjet me Specian dhe Interin, për më tepër pa shënuar dot as gol bënë që kuqezinjtë të lëshojnë pas shumë kohësh kreun e Serisë A.

Interi i Antonio Contes nuk do të ketë më impenjime të tjera përveç sfidave të kampionatit italian, ndërsa mbi futbollistët e Milanit fillojnë të peshojnë shumë ndeshje të tilla në Europa League, duke marrë në konsideratë faktin që në Serinë A skuadra e Piolit do të masë forcat të dielën në mbrëmje me verdhekuqtë e Romës, që renditen vetëm 5 pikë më poshtë në klasifikim.

Ndeshja Milan – Crvena Zvezda do të mbahet në orën 21:00 në stadiumin “Giuseppe Meazza”, sidoqoftë po në të njëjtën orë, në “Old Trafford”, “Djajtë e Kuq” të Manchester United do të zbresin në fushë të përgatitur për të ruajtur avantazhin e fitores mbresëlënëse 4-0 që skuadra e Ole Gunnar Solskajer siguroi në Torino ndaj Real Sociedadit, duke patur parasysh që të dielën pasdite “Red Devils” i pret një mision tepër i vështirë në Premier League, ndaj Chelsea-t në “Stamford Bridge”.

Ndërkaq, në orën 21:00, Roma do të përballet në “Stadio Olimpico” me ekipin e Sporting Bragës, të cilin e mposhti të enjten e kaluar me shifrat 2-0 brenda në Portugali. Sikur të mos mjaftonin dëmtimet dhe problemet e shumta fizike apo rrëshqitja në Serinë A më herët në orën 18:55 ekipi i Napolit duhet të përmbysë brenda në stadiumin “Diego Armando Maradona” disfatën 2-0 që formacioni i Gatuzos pësoi në Andaluzi nga skuadra e Granadës.

Po në këtë orë Ajaksi nuk pritet të hasë shumë vështirësi për të administruar brenda në Amsterdam triumfin 2-1 që “harkëtarët” siguruan ndaj Lilës në Francë falë dy golave të shënuar në 3’ e fundit të kohës së rregullt, ndërkohë në orën 18:55 me shumë interes pritet pikërisht dueli Arsenal – Benfica, që do të mbahet në Stadiumin Georgios Karaiskakis të Pireut, me dy skuadrat që një javë më parë barazuan 1-1 takimin që zhvilluan në Stadiumin Olimpik të Romës.

(Kosova Sot Online )