Inter e mund bindshëm Genoan, e përforcon kreun e Serie A

  • A.P /
  • 28 February 2021 - 17:10
Inter e mund bindshëm Genoan, e përforcon kreun e Serie A

Interi e ka përforcuar vendin e parë në Serie A duke i ikur shtatë pikë rivalit Milan, pas një fitoreje tjetër bindëse 3:0 kundër Genoas të dielën, e cila ishte e katërta radhazi në ligë.

Romelu Lukaku, Matteo Darmian dhe Alexis Sanchez shënuan për një fitore tjetër bindëse të skuadrës së Antonio Contes në San Siro.

Zikaltrit po vinin nga një triumf madhështor kundër rivalit të qytetit, Milan – i cili ishte një duel i drejtpërdrejt për titull mes tyre pas një kohe të gjatë – një javë më parë, të vetëdijshëm se fitorja ndaj Genoas duhej të arrihej patjetër, gjë që e kishte pranuar edhe Conte ditë më parë.

Dhe pikërisht këtë e arritën, në një ndeshje të cilën e mbizotëruan plotësisht nga fishkëllima e parë deri te ajo e fundit.

Interi tani grumbullon 56 pikë në vendin e parë, duke e lënë Milanin mbrapa me 49 pikë dhe Juventusin në vendin e tretë me 46 pikë. Këto dy të fundit e kanë zhvilluar nga një ndeshje më pak, megjithatë.

(Kosova Sot Online)