Guardiola: Dimri në Angli është ferr, por Man City im është i jashtëzakonshëm

  • S.A /
  • 03 March 2021 - 10:07
Guardiola: Dimri në Angli është ferr, por Man City im është i jashtëzakonshëm

Lojtarëve të Manchester City u bëri mirë paralajmërimi i Pep Guardiolës se lojtarët e vetëkënaqur do të liheshin në stol, pasi ata e vazhduan serinë e fitoreve të njëpasnjëshme edhe të martën duke e mundur 4:1 Wolvesin në Premierligë. City i ka fituar 21 ndeshje radhazi në të gjitha garat dhe është shumë pranë rekordit për më së shumti fitoreve radhazi. Trajneri spanjoll Guardiola thotë se skuadra e tij është shumë e bashkuar dhe kjo bën që gjërat në fushën e lojës të shkojnë mirë për të.

“Mëngjesin e sotëm (marte) ndjeva se jemi shumë të bashkuar dhe se ishim gati për të tentuar përsëri”, tha Guardiola. “Kalendari është i shkurtër këtë sezon. Nuk e kemi pasur një javë të gjatë. Kemi shumë ndeshje dhe të luash kundër Wolves, një skuadër fizike dhe me mentalitet të tillë më bën të jem shumë i kënaqur me atë që e kemi arritur deri tani”, shtoi ai. Në lidhje me rekordin, Guardiola theksoi: “Është rekord për të cilin do të flasim në të ardhmen. Dimri në Angli është ferr dhe, gjatë kësaj kohe, ne kemi bërë diçka të jashtëzakonshme. Më shumë se madhështore”. 

(Kosova Sot Online )