Këtë muaj nënshkruhet marrëveshja për formatin e ri të Ligës së Kampionëve

  • S.A /
  • 09 March 2021 - 10:16
Këtë muaj nënshkruhet marrëveshja për formatin e ri të Ligës së Kampionëve

Marrëveshja për ndryshimin e formatit të Ligës së Kampionëve – i cili do t’i ketë 36 ekipe dhe mund të nisë nga viti 2024 – pritet të arrihet në fund të këtij muaji.

Kryetari i Shoqatës së Klubeve Evropiane (ECA), Andrea Agnelli, pret që hollësitë e fundit – për atë sesi do të ndahen katër vendet shtesë – të zgjidhen në dy javët e ardhshme.

Nëse ECA e arrin këtë brenda afatit kohor, atëherë shtëpia e futbollit evropian, UEFA, do ta aprovojë formatin e ri të garës më prestigjioze evropiane për klube duke e nënshkruar marrëveshjen.

Nëse ndodh kjo, atëherë bisedimeve për krijimin e një Superlige Evropiane do t’iu vijë fundi.

Si do të dukej Liga e re e Kampionëve?

Plani, i cili është krijuar nga shefi ekzekutiv i Ajaxit, Edwin van der Sar, do të çonte drejt ndryshimeve radikale në fazën grupore.

Në vend të tetë grupeve me nga katër ekipe të cilat luajnë kundër njëra-tjetrës nga dy herë siç ndodh tani, të gjitha ekipet do t’i zhvillonin nga 10 ndeshje kundër kundërshtarëve të cilësive të ndryshme që do të caktoheshin bazuar në renditjen e UEFA-s për klube.

Me rezultatet nga këto ndeshje do të formohej një tabelë e përgjithshme dhe bashkë me disa ndeshje play-offi, ekipet do të kualifikoheshin për fazën e eliminimit direkt që zhvillohet pas Krishtlindjes.

(Kosova Sot Online )