Ibrahimovic është gati për Manchester Unitedin

  • A.P /
  • 16 March 2021 - 21:01
Ibrahimovic është gati për Manchester Unitedin

Të enjten në mbrëmje Milani do të zbresë në fushë me objektivin për të eliminuar Manchester United dhe për të arritur në çerekfinale të Europa League.

Për ta bërë këtë, Stefano Pioli ka marrë lajme të shkëlqyera nga infermieria.

Zlatan Ibrahimovic është stërvitur me grupin këtë të martë dhe do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj ish-skuadrës së tij, por rikthimi i Ibras nuk është lajmi i vetëm i mirë për trajnerin e kuqezinjëve pasi edhe dy qendërmbrojtësit Simon Kjaer dhe Alesio Romagnoli dhe mesfushori algjerian Ismael Bennacer kanë hedhur pas shpatullave dëmtimet respektive dhe do të jenë plotësisht të gatshëm për duelin e të enjtes.

Për momentin i vetmi lojtar me probleme në shtëpinë e Milanit është mbrojtësi anësor Davide  Calabria i cili vazhdon të stërvitet i diferencuar dhe duhet të shtrëngojë dhëmbët për të qenë në fushë ndaj Manchester United, kështu që aktivizimi i tij vazhdon të mbetet në dyshim.

Ibrahimovic ka qenë në formë të mirë këtë edicion sa herë ka zbritur në fushë, por kohë pas kohë është ndalur nga dëmtimet, pak edhe shkaku moshës.

Ai ka shënuar në total 16 gola në 21 paraqitje në të gjitha garat.

Kujtojmë se Ibrahimovic është thirrur edhe nga Suedia, çka do të thotë se do të zbresë në fushë në “Fadil Vokrri” kundër Kosovës pas pak ditësh.


(Kosova Sot Online)