Hasani beson se do ta fitojë edhe një mandat, i ka disa fjalë për kundërkandidatët

  • S.A /
  • 24 March 2021 - 16:14
Hasani beson se do ta fitojë edhe një mandat, i ka disa fjalë për kundërkandidatët

Besim Hasani synon t’i prijë Komitetit Olimpik të Kosovës edhe për së paku katër vjet. Presidenti aktual insiston se ka bërë punë të mirë deri tash dhe se mendon ta vazhdojë atë, për ta çuar përpara sportin kosovar. Hasani do t’i ketë dy kundërkandidatë nesër në Asamblenë Zgjedhore, Linda Shalën dhe Ismet Krasniqin, për të cilët mendon se nuk mund ta udhëheqin si duhet institucionin më të lartë të sportit kosovar

Besim Hasani do ta kërkojë një tjetër mandat në krye të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Presidenti aktual i institucionit më të lartë sportiv në vend është njëri nga tre kandidatët, së bashku me Linda Shalën dhe Ismet Krasniqin, që do ta kërkojë mandatin katërvjeçarë në Asamblenë e Punës dhe të Zgjedhoret të KOK-ut.

Hasani beson se ka punuar mjaftueshëm në të kaluarën për ta merituar një tjetër mundësi, në mënyrë që të vazhdojë t’i prijë shtëpisë më të madhe të sportit kosovar.

Ai i ka disa fjalë edhe për kundërkandidatët, për të cilët dyshon se mund ta udhëheqin si duhet KOK-un.

“Për mua nuk është befasi të kem kundërkandidatë, pasi që prej vitit 1996, në çdo palë zgjedhje kam pasur kundërkandidatë, ndaj të cilëve kam fituar bindshëm. Këtë herë i kam dy kundërkandidatë, njëra prej të cilëve është e gjinisë femërore. I njoh të dy kundërkandidatët, për të cilët mund të them se kanë pak njohuri për funksionimin e Komitetit Olimpik të Kosovës, e mos të flasim për menaxhimin strategjik”, shprehet fillimisht Besim Hasani.

Ai shkoi edhe më tutje duke e “thumbuar” njërin prej kundërkandidatëve, kreun e karatesë kosovare, Ismet Krasniqi.

“Madje njëri nga ta frikësohet me dalë në debate. E vetmja gjë që e kam parë është se e merr shembull për të mirë Federatën e tij, karatenë, e cila, bazuar në dokumente, karakterizohet për mos-transparencë, për mospërputhje të raporteve financiare për dy vitet e fundit, si dhe Federatë të cilës i janë larguar sportistët kryesorë, të cilët kanë kaluar tek Shqipëria”, shton ai.

Hasani është i bindur se ka punuar mjaftueshëm deri tash për ta merituar edhe një mandat katërvjeçar.

Ai i përmend të arriturat e KOK-ut nën drejtimin e tij, që prej kohërave të vështira e deri tek pranimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe medaljen olimpike.

“Puna ime në KOK ka nisur në vitet e izolimit të sportit tonë. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar më konsideron si President vetëm nga Dhjetori i vitit 2014. Personalisht e vlerësoj lartë kontributin tim nga viti 1992 kur si sekretar i Federatës së Karatesë, me kolegë të tjerë ia dolëm t’i bindim ndërkombëtarët t’i lejojnë karateistët e Kosovës të marrin pjesë në Kupat botërore dhe gara tjera ndërkombëtare në emër të Kosovës dhe me flamur kombëtar. Një vit kam qenë sekretar i përgjithshëm i Federatës së Sporteve të Kosovës (FSK) e nga FSK-ja, Blerim Reka e unë jemi propozuar për kryetarë të KOK-ut. Lobimi 18 vjeçar përfundoi me njohjen e KOK-ut nga KON-i, njohje kjo që hapi rrugë për njohjen e të gjitha Federatave kombëtare nga Federata Ndërkombëtare dhe pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në kualifikime dhe në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’. Majlinda shkëlqeu, e rrëmbeu medaljen e artë dhe e radhiti Kosovën në mesin e 98 shteteve me medalje të arta olimpike. Janë 108 shtete që kurrë nuk kanë arritur medalje të artë, përkundër pjesëmarrjes në shumë edicione të Olimpiadës. Anëtarësimi i KOK-ut në KON është arritje e jashtëzakonshme sepse pranimi në KON kushtëzohet me anëtarësimin e shtetit në OKB. Ëndrra e radhës është që KOK-u të jetë ndër 10 Komitetet Olimpike për qeverisje të mirë, për menaxhim strategjik, për cilësi dhe ngritje të kapaciteteve të BNJ. Progresi në këtë drejtim është i madh, 82.7% të këtyre objektivave janë realizuar. Që nga atëherë ne punojmë me plan strategjik dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar vlerësohemi si njëri prej Komiteteve Olimpike Kombëtare për nga transparenca dhe puna e mirë që bëjmë, dhe një gjë e tillë, presidenti i KON-it Thomas Bach, në Kongresin e IBSA, para mbi 400 gazetareve sportivë nga mbarë bota, në mesin e tyre edhe gazetarët nga Kosova. Prandaj, puna e mirë që kemi bërë dhe mbështetja e fuqishme e Federatave, më bëjnë të besoj fuqishëm se unë do të udhëheq me Lëvizjen Olimpike edhe në ciklin e ardhshëm Olimpik”, theksoi tutje Hasani.

Ai i tregoi edhe prioritetet që i ka nëse e fiton mandatin e ardhshëm.

Në fokus të KOK-ut, shton ai, në ciklin e ardhshëm olimpik do të jetë zhvillimi dhe ngritja e kapaciteteve të sportistëve, trajnerëve dhe administratorëve të sportit. Në programin e tij 21 faqësh ka edhe shumë pika tjera, të cilat tashmë asamblistët e kanë pasur rastin t’i shohin dhe analizojnë.

E Federatave dhe sportistëve kosovarë, nëse rizgjidhet kryetar, Hasani ju premton se do të vazhdohet me realizimin e objektivave strategjike, te cilat dalin nga 8 fushat strategjike bazuar në modelin UMAP.

Ndër të tjera, ai premton se do ta rrisë mbështetjen ndaj sportistëve elitarë drejt arritjes së normave olimpike, që do të ketë mbështetje për shpresat olimpike, ku vetëm këtë vit KOK-u do t’i ndajë 24 bursa për sportistët e moshës 15-21 vjeç.

Por, nëse do të kthehej prapa, a do të ndryshonte diçka Hasani, i cili e drejton KOK-un qe një jetë!?

“Puna e jonë e mirë dhe lobimi që e kemi bërë, si dhe kriteri i plotësuar me pesë federatat Olimpike të anëtarësuara në Federatat përkatëse Ndërkombëtare, si dhe puna e bërë pas anëtarësimit në KON ku rezultoi edhe me suksesin historik, medaljen e artë Olimpike në Rio 2016 të fituar nga krenaria jonë, Majlinda Kelmendi, më bëjnë të mendoj se edhe po të ktheheshim prapa, nuk do të ndryshoja asgjë”, thotë tutje Hasani. 

Edhe pse është qe një kohë të gjatë në krye të KOK-ut, kjo nuk nënkupton se Hasani është duke e kërkuar mandatin e fundit në krye të kësaj shtëpie të sportit.

Ai thotë se, ndër të tjera e ka edhe mbështetjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për ta vazhduar rrugëtimin.

“Gjatë vitit 2020 e kemi hartuar statutin e ri, i cili ishte përpiluar në vijë me rekomandimet e Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, dhe në të cilin njëra nga pikat ishte edhe kufizimi i mandatit të presidentit, i cili ishte tri mandate, por që një pjesë e asamblistëve nuk e miratuan, pasi duheshin 2/3 e votave. Unë do ta drejtoj Lëvizjen Olimpike për aq sa besoj se kam çfarë t’i jap Komitetit Olimpik të Kosovës. Unë besoj se ne jemi në rrugë të mbarë për ta realizuar premtimin e dhënë Thomas Bachut, se do të jemi në top-10 Komitetet më të mira kombëtare në botë”, zotohet Hasani.

Në fund, ai foli për ambiciet që i ka me KOK-un, e që sigurisht janë vazhdimi i sukseseve të sportistëve kosovarë.

E gjithë kjo duke filluar nga Olimpiada e Tokyos, e cila do të mbahet gjatë verës që vjen.

“Në këto momente kur po flasim kemi gjashtë norma Olimpike, një nga mundja dhe pesë nga xhudoja, të cilat mbeten vetëm për t’u konfirmuar zyrtarisht. Këto norma nuk janë të rastësishme, por vijnë nga puna e madhe e trajnerëve, sidomos mjeshtrit ndërkombëtar Driton Kuka, si dhe mbështetjes së vazhdueshme të KOK-ut. Ju kujtoj se ne i mbulojmë shpenzimet e sportistëve elitarë deri në 80 ditë përgatitje brenda vitit, kurse ky 80-ditësh është rritur këtë vit dhe vlen vetëm në gjashtë muajshin e parë. Në ‘Rio 2016’ kemi debutuar me dy norma e tetë sportistë në total, prej të cilëve e fituam medaljen e artë Olimpike, duke hyrë në mesin e 98 shteteve me medalje Olimpike. Drejt ‘Tokio 2020’ synojmë të udhëtojmë me 12 sportistë, përfshirë edhe ftesat që do të vijnë, kurse besojmë se do të kthehemi me më shumë se një medalje. Të jesh në Lojërat Olimpike do të thotë se ti ke hyrë në 16 më të mirët e botës. Unë uroj që së pari sportistët ta kenë shëndetin dhe t’ju prijë fati, në mënyrë që ëndrrën e tyre ta shndërrojnë duke e parë veten në podium”, përfundoi Besim Hasani.

Asambleja e Punës dhe Zgjedhore e KOK-ut do të mbahet nesër duke filluar nga ora 15:00.

(Kosova Sot Online )