Southgate tregon dyshen e mesfushës për ndeshjen ndaj Shqipërisë

  • E.K /
  • 27 March 2021 - 17:17
 Southgate tregon dyshen e mesfushës për ndeshjen ndaj Shqipërisë

Anglia do të zbresë në fushë këtë të diel, në orën 18:00, në “Air Albania”, kundër Shqipërisë, pa disa prej lojtarëve më të talentuar, siç janë Marcus Rashford, Bukayo Saka, por edhe Jordan Henderson, që është dëmtuar që në fund të shkurtit.

Megjithatë trajneri i “3 Luanëve”, Gareth Southgate, në konferencën që i paraprin duelit ndaj përfaqësueses sonë nuk u shfaq shumë i shqetësuar, sepse alternativat që ai ka janë të afta të mbulojnë çdo mungesë.

“Mason Mount dhe Declan Rice mund të jenë dyshja e mesfushës kundër Shqipërisë, ata bënë një paraqitje shumë të mirë kur luajtën së bashku ndaj Islandës. Nuk është fiks pozicioni që Mount luan me skuadrën e tij, por besoj se është i aftë të luajë aq thellë. Ai mund të luajë si një numër 4, si një 8-sh, por edhe si një numër 10. Po ashtu edhe Ward-Prose-in e pashë mirë ndaj San Marinos, edhe Philips është në formë të mirë, kështu që nuk jam i shqetësuar aspak. Rashford e kemi patur vetëm për një ndeshje e gjysmë nga shtatori deri më tani, kështu që mungesa e tij ka qenë një mundësi më tepër për të tjerët.”

Tekniku i Anglisë u shpreh i shqetësuar për gjendjen e Henderson teksa konfirmoi mes shtyllave edhe për sfidën ndaj Shqipërisë, Nick Pope, duke qenë që mungon për shkak dëmtimi Pickford.

“Dëmtimi i Hendersonit është në një periudhë delikat sepse nuk ka mbetur edhe shumë nga Europiani. Të shohim si do të vijojë rikuperimi i tij. E di që ai do të bëjë gjithçka për të qenë në Europian, por duhet të marrin në konsideratë edhe numrin e paktë të ndeshjeve që eventualisht do të luajë pas dëmtimit. Jordan, gjithsesi, është optimist që mund t’ia dalë. Sa i përket Nick Pope, ai do të vijojë të jetë titullar, e ka pritur këtë shans dhe mendoj se e meriton.

Ndërkohë, kapiteni McGuire vlerësoi rritjen që Anglia ka patur në vitet e fundit, duke synuar në të ardhmen trofetë madhorë, europian e botëror.

(Kosova Sot Online)