Kosova përballet sot me Spanjën në një takim që është më shumë se thjesht një ndeshje futbolli

  • S.A /
  • 31 mars 2021 - 09:44
Kosova përballet sot me Spanjën në një takim që është më shumë se thjesht një ndeshje futbolli

Kosova do të ballafaqohet sot me Spanjën për herë të parë në historinë e ekipit kombëtar, në kërkim të fitores së parë në kualifikime për Kupën e Botës 2022, por ky takim do të jetë më shumë se thjesht një ndeshje futbolli në Sevillë.

Spanja dhe Kosova do të përballen sonte në orën 20:45, në një ndeshje të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit në stadiumin “La Cartuja” në Sevillë.

Kosova e nisi në mënyrë dëshpëruese fushatën e dytë kualifikuese në historinë e kombëtares, duke pësuar disfatë bindëse 3:0 kundër Suedisë të dielën në Prishtinë.

Për dallim nga verdhekaltrit, Spanja e mundi 2:1 Gjeorgjinë falë një goli të vonshëm të dielën në udhëtim, pasi kishte barazuar 1:1 me Greqinë në ndeshjen hapëse para një jave.

Por ndeshja e sotme është në qendër të polemikave diplomatike mes Kosovës dhe Spanjës.

Spanja është njëra prej tri kombëtareve në grupin e dardanëve, bashkë me Greqinë dhe Gjeorgjinë, që s’e njohin pavarësinë e Kosovës. Për më tepër vendi iberik është kundërshtar i zëshëm i pavarësisë se shtetit më të ri evropian, kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.

Polemikat nisën kur Federata e Futbollit e Spanjës e quajti territor Kosovën dhe mediat spanjolle pretenduan se Spanja nuk do të pranonte që himni kombëtar i Kosovës të luhej në stadium para ndeshjes e as flamuri i saj të valëviste gjatë ndeshjes.

Federata e Futbollit e Kosovës i reagoi duke e kërcënuar se nuk do të luante nëse simbolet e saj shtetërore nuk do të respektoheshin. Pas një bisede mes krerëve të dy federatave dhe UEFA-s, Spanja u detyrua të pranojë që ndeshja të zhvillohet në bazë të rregullave të UEFA-s e FIFA-s.

Por përveç mediave spanjolle që shpesh në shkrimet e tyre madje nuk ia shkruanin as emrin Kosovës, federata spanjolle ka bërë çmos t’i shmangët sa më shumë përmendjes së Kosovës në njoftimet e saj, sidomos në konferencë për media një ditë para ndeshjes.

Ajo i është drejtuar Kosovës si “ekipi kosovar”, ndërsa trajneri i furisë së kuqe Luis Enrique iu ka drejtuar Kosovës vetëm si “përfaqësuese”.

Qëllimi i federatës spanjolle dhe mediave në Madrid për ta mënjanuar emrin e Kosovës kanë qenë të dukshme.

Presidenti i FFK-së, të martën e paralajmëroi Spanjën se do ta tërheqë ekipin dardan nga fusha në Sevillë nëse simbolet e shtetit të Kosovës nuk respektohen të mërkurën mbrëma.

(Kosova Sot Online )