MARCA: “Spanja e njeh Kosovën, rivalin e vet të ri”

  • S.A /
  • 31 March 2021 - 10:26
MARCA: “Spanja e njeh Kosovën, rivalin e vet të ri”

Gazeta e madhe spanjolle me bazë në Madrid, MARCA, e ka quajtur historike ndeshjen e sotme kualifikuese për Kupën e Botës mes Spanjës dhe Kosovës në Sevillë, duke shkruar se “31 marsi 2021 do të mbahet në mend si dita në të cilën Spanja u përball me një rival të cilën qeveria jonë s’e njeh”.

Kosova do të ballafaqohet sot me Spanjën për herë të parë në historinë e ekipit kombëtar dardan, në kërkim të fitores së parë në Grupin B kualifikues për Botërorin Katari 2022, por ky takim do të jetë më shumë se thjesht një ndeshje futbolli në Sevillë.

Në një shkrim për ndeshjen e sotme në Sevillë, titulli i MARCA-s ishte: “España ‘reconoce’ a Kosovo: estrena rival y ya van 92”, që në shqip nënkupton: “Spanja e ‘njeh’ Kosovën: rivali i ri dhe i 92-të në total’”.

E përditshmja spanjolle e ka nënvizuar faktin se Spanja do të detyrohet ta valëvitë flamurin shtetëror të Kosovës dhe ta luajë himnin e saj kombëtar sonte në Sevillë, megjithëse qeveria e vet nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës.

“Ekipi spanjoll e luan një ndeshje historike sot. Sepse 31 marsi 2021 do të mbetet në librin e historisë së ekipit kombëtar si dita kur ai luajti kundër një ekipi pavarësia e të cilit nuk pranohet nga shteti spanjoll”, shkroi MARCA.

Por ndeshja e sotme është në qendër të polemikave diplomatike mes Kosovës dhe Spanjës.

Spanja është njëra prej tri kombëtareve në grupin e dardanëve, bashkë me Greqinë dhe Gjeorgjinë, që s’e njohin pavarësinë e Kosovës. Për më tepër vendi iberik është kundërshtar i zëshëm i pavarësisë se shtetit më të ri evropian, kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.

Kosova e nisi në mënyrë dëshpëruese fushatën e dytë kualifikuese në historinë e kombëtares, duke pësuar disfatë bindëse 3:0 kundër Suedisë të dielën në Prishtinë.

Për dallim nga verdhekaltrit, Spanja e mundi 2:1 Gjeorgjinë falë një goli të vonshëm të dielën në udhëtim, pasi kishte barazuar 1:1 me Greqinë në ndeshjen hapëse para një jave.

(Kosova Sot Online )