Edhe një klub tjetër refuzon t’i bashkohet Superligës Evropiane

  • E.K /
  • 19 April 2021 - 15:15
 Edhe një klub tjetër refuzon t’i bashkohet Superligës Evropiane

Presidenti i Portos, Pinto da Costa, ka konfirmuar se klubi portugez e ka refuzuar ftesën për t’iu bashkuar Superligës Evropiane, duke thënë se ajo është kundër parimeve dhe rregullave të BE-së dhe UEFA-s.

Porto është klubi i tretë, pas Bayern Munich dhe Borussia Dortmund, që e hedhë poshtë ofertën për të qenë pjesë e garës ndarëse dhe të mbyllur.

Mbrëmë u raportua se Porto ishte njëri prej tri klubeve të mbetura tradicionale që nuk e kishte konfirmuar ende pjesëmarrjen.

“Kishin kontakte informale me disa klube. Po ne nuk iu kushtuam vëmendje për dy arsye. E para, Bashkimi Evropian nuk lejon mbajtjen e ngjarjeve të mbyllura, sic është NBA për shembull”, tha Da Costa.

“E dyta, meqë Federata e Futbollit e Portugalisë është kundër kësaj dhe si pjesë e UEFA-s, ne nuk mund të marrim pjesë në asgjë që është kundër parimeve dhe rregullave të Bashkimit Evropian dhe UEFA-s”, shtoi ai.

Deri tani 12 klube e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, Real Madrid, Atletico Madrid, Barcelona, Arsenal, Chelsea, Manchester City, Manchester United, Liverpool, Tottenham, Inter, Milan dhe Juventus.

(Kosova Sot Online)