Alarmon Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar: Misioni i sportit po humbet

  • 20 April 2021 - 13:56
Alarmon Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar: Misioni i sportit po humbet

Në kongresin e UEFA-s që u mbajt sot, një fjalim e mbajti edhe presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach. Ai kundërshtoi formimin e Superligës Evropiane, duke thënë se nëse shikohet vetëm ana e biznesit, atëher misioni i sportit po humbet.

“Modeli ynë sportiv evropian është nën kërcënim sot. Ajo po humbet terren për qëllimet thjesht të orientuara drejt fitimit të siguruesve dhe investitorëve të sporteve komerciale. Nëse gjithçka shikohet vetëm nga perspektiva e biznesit, atëherë misioni shoqëror i sportit humbet” – tha Bach. Përveç Bach, në këtë kongres folën edhe presidenti i UEFA-s dhe ai i FIFA-s.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Superligës Evropiane, duke ua bërë me dije klubeve që i janë bashkuar asaj se do të përballen me pasoja të rënda.

“Nëse dikush vendos ta zgjedhë rrugën e vet, atëherë duhet patjetër t’i vuajë pasojat e vendimit të vet. Ato (klubet) janë përgjegjëse për zgjedhjet e veta. Më saktësisht, kjo nënkupton o rri, o shko. Nuk mund të jesh gjysmën brenda e gjysmën jashtë”, shtoi ai.

Në anën tjetër, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin iu kërkoi 12 klubeve që të ndryshojnë mendje.

“Zotërinj ju keni bërë një gabim të madh. Disa do të thonë se është lakmi, të tjerët heqin dorë, arrogancë … ka ende kohë për të ndryshuar mendjen tuaj. Të gjithë gabojnë” – u shpreh Ceferin.

(Kosova Sot Online )