Dyshime në mesin e klubeve të Superligës Evropiane, dy prej tyre po mendojnë të tërhiqen

  • G.G /
  • 20 April 2021 - 14:53
Dyshime në mesin e klubeve të Superligës Evropiane, dy prej tyre po mendojnë të tërhiqen

Chelsea dhe Manchester City janë të pasigurta në vendimet e tyre për të vazhduar apo jo të jenë pjesë Superligës Evropiane, sipas gazetës prestigjioze britanik The Guardian.

Në Kongresin e UEFA-s të mbajtur sot në Montreux, Chelsea dhe City kanë biseduar prapa skenave për t’u zmbrapsur apo jo në vendimin e tyre për t’iu bashkuara Superligës, për shkak të reagimeve dhe kritikave tejet negative dhe presionit të madh nga qeveritë dhe ligat që prej se u bë i ditur krijimi i ligës.

Kundërshtarët e ligës së shkëputur besojnë se më pak se gjysma e 12 klubeve themeluese shihen si fanatikë të cilët do ta mbështesin Superligë në çdo rrethanë dhe në cdo mënyrë. Të tjerët i janë bashkuar asaj sepse besojnë se do të qëndrojnë më mirë financiarisht, qoftë me jetësimin e ligës apo qoftë duke arritur koncesione me UEFA-n, apo ato thjesht iu bashkuan ligës me ngurrim për shkak të frikës se do të mbeteshin jashtë saj.

Chelsea dhe Manchester City janë në kampin e dytë, sipas të përditshmes britanike.

Reklamë

Megjithatë, një burim i besueshëm i The Guardian nga një organizatë kundër Superligës, ishte më i matur duke thënë se, derisa shpresonte se disa klube do ta rishikonin vendimin e tyre, nuk ka dëshmi të drejtpërdrejt se do ta bëjnë.

Presioni ndaj klubeve që u shkëputën për ta krijuar një ligë të re është rritur edhe më shumë të martën, pasi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i paralajmëroi se nuk do të mundë të ishin gjysmë brenda dhe gjysmë jashtë – duke iu referuar pjesëmarrjes në ligat vendore në të njëjtën kohë duke ia kthyer shpinën Ligës së Kampionëve dhe se do të përballeshin me pasoja për këtë.

Duke folur të martën në Kongresin e UEFA-s, shefi i FIFA-s Infantino tha: “Ne në FIFA mund vetëm ta kundërshtojmë fuqishëm krijimin e Superligës, e cila është një dyqan i mbyllur; e cila është shkëputje nga institucionet e tanishme; nga ligat; nga federatat; nga UEFA dhe nga FIFA”.

“Nëse dikush vendos ta zgjedhë rrugën e vet, atëherë duhet patjetër t’i vuajë pasojat e vendimit të vet. Ato (klubet) janë përgjegjëse për zgjedhjet e veta. Më saktësisht, kjo nënkupton o rri, o shko. Nuk mund të jesh gjysmën brenda e gjysmën jashtë”, shtoi ai.

“Shumë gjëra do të flaken për mbase një përfitim afatshkurtër financiar të disave. Njerëzit duhet të mendojnë qartë. Ata duhet të reflektojnë dhe duhet të marrin përgjegjësi”. 

(Kosova Sot Online)