Pioli shmang pyetjet për Superligën Evropiane

  • A.P /
  • 20 April 2021 - 16:47
Pioli shmang pyetjet për Superligën Evropiane

Sfida me Sassuolon duhej të ishte mjaft e rëndësishme për Milanin që synonte një vend në zonën Champions të renditjes, megjithatë përfshirja e kuqezinjve në listën e klubeve nismëtare të Super Ligës ka zbehur disi këtë objektiv.

Tekniku i Milanit, Stefano Pioli ka dalë sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku theksoi se synimi i klubit mbetet i njëjtë, të renditet në katërshen e më të mirave, teksa iu shmang pyetjeve mbi Super Ligën Europiane.

“Unë ndjek këshillat e drejtuesve të mi, që më kanë udhëzuar të përqendrohem te puna e përditshme me ekipin. Mendoj se nuk është momenti i duhur për të dhënë mendimin tim për situatën” – tha Pioli.

Ai tutje tha se Milani ka synim Champions Leaguen dhe do të përpiqen ta arrijnë sa më parë.

“Milani ka vite që nuk renditet në katërshen e parë dhe do të jetë një goxha arritje nëse ia dalim këtë sezon. Objektivi mbetet i njëjtë dhe duam ta sigurojmë sa më shpejt renditjen në katërshen e parë” – u shpreh trajneri i Milanit.

(Kosova Sot Online)