Lojtarët kolumbianë të Futsallit e realizojnë ëndrrën evropiane – transferohen në Gjakovë

  • S.A /
  • 21 April 2021 - 16:17
Lojtarët kolumbianë të Futsallit e realizojnë ëndrrën evropiane – transferohen në Gjakovë

Për një pjesë të mirë të sportistëve nga kontinentet tjera, Evropa është një ëndërr.

Ata synojnë që një ditë të luajnë në kontinentin tonë, mbi të gjitha sportistët nga vendet më të varfra.

E ëndrrën për të luajtur në Evropë po e realizojnë edhe dy lojtarë të rinj të Futsallit nga Kolumbia.

Klubi i Futsallit Liburni nga Gjakova i ka prezantuar dy përforcimet më të reja, shkruan Gazeta Express.

Bëhet fjalë për futbollistët nga Bogota e Kolumbisë, Wilson Hilariòn (Cholas) dhe Julián Porras (Porritas).

Të dy lojtarët, të cilët kanë luajtur në Superligën e Kolumbisë janë të gatshëm për eksperiencën e re.

Në një foto të publikuar nga klubi gjakovar shkruan se të dy futbollistët po e realizojnë ëndrrën evropiane.

Edhe vetë lojtarët e Futsallit e mirëpresin eksperiencën e re.

Ata po e shijojnë një ëndërr që e kishin dhe për këtë e kanë falënderuar Zotin.

Liburni llogarit në këta dy talentë për pjesën e mbetur të sezonit, i cili pritet të jetë mjaft “i nxehtë”.

Sigurisht, ata e shohin Gjakovën dhe Kosovën vetëm si një trampolinë pasi përmes vendit tonë synojnë t’i arrijnë majat e Futsallit evropian

(Kosova Sot Online )