“Reali është bosi i Ligës së Kampionëve” – Sahin thotë se skuadra e Zidane do ta rrijë finalen

  • S.A /
  • 04 May 2021 - 10:03
“Reali është bosi i Ligës së Kampionëve” – Sahin thotë se skuadra e Zidane do ta rrijë finalen

Nuri Sahin beson se ish-klubi i tij, Real Madrid, do ta mposhtë Chelsean dhe do të kalojë në finale të Ligës së Kampionëve të mërkurën. Mesfushori turk nuk e hedh poshtë as mundësinë që Paris Saint-Germain ta arrijë një rikthim dramatik kundër Manchester City në gjysmëfinalen tjetër këtë javë. E marta dhe e mërkura premtojnë të jenë dy net mahnitëse në garën elitare evropiane për klube. Reali dhe Chelsea barazuan 1:1 në ndeshjen e parë javën e kaluar në Madrid, ndërsa City është favorit i madh për ta arritur finalen e parë në Ligën e Kampionëve, pasi e fitoi 2:1 ndeshjen e parë në Paris.

Sahin, i cili e kishte arritur finalen e Ligës së Kampionëve me Borussia Dortmundin në vitin 2013, e kaloi një sezon në fanellën e Realit në edicionin 2011/12 dhe beson se djelmoshat e Zinedine Zidane zotërojnë cilësitë dhe përvojën për ta tejkaluar skuadrën në formë të Chelseat. Duke folur për Goal, Sahin tha: “Mendoj se do të jetë një ndeshje e hapur, sic ishte edhe ndeshja e parë. Mezi pres ta shikoj”. “Të dy skuadrat janë në një moment të mirë. Chelsea po luan shumë mirë nën udhëheqjen e Thomas Tuchel. Mbase ajo është skuadra që po e luan futbollin më të mirë taktikisht për momentin”, shtoi ai. “Por në anën tjetër, e kemi bosin e Ligës së Kampionëve, Real Madridin dhe Zinedine Zidanin! Iu uroj fat atyre dhe mendoj se do t’ia dalin”. 

(Kosova Sot Online )