Rummenigge: Si ta shesim një lojtar që shënon 60 gola në vit?

  • S.A /
  • 14 May 2021 - 16:24
Rummenigge: Si ta shesim një lojtar që shënon 60 gola në vit?

Robert Lewandowski është i pashitshëm.

Bayern Munich nuk do të dëgjojë asnjë ofertë për sulmuesin gjatë verës, i cili është në formën më të mirë ani pse ka 32 vjet.

Karl-Heinze Rummenigge, administrator i deleguar i Bayernit, reagoi pas thashethemeve që kanë qarkulluar prej disa javësh për një lamtumirë të mundshme të sulmuesit polka: “Unë nuk kam asnjë dyshim se ai do të qëndrojë”.

Lewandowskit, i cili ka shënuar 292 gola në 327 ndeshje që kur u transferua në Bavari në vitin 2014, i përfundon kontrata në vitin 2023.

Rummenigge në mikrofonat e “Sport1” theksoi se ai mbetet shumë i rëndësishëm për lojën e Bayernit: “Kush do ta privonte veten nga një futbollist me 60 gola në vit? Pastaj, menaxherët e tij, nuk na kanë thënë asgjë për largimin e tij të mundshëm”.

Prania e Lewandowskit në organikën e kampionëve të Bundesligës shihet madje si pengesë për blerjen e Erling Haalandit.

Pak ditë më parë, Oliver Kahn, ish-portieri legjendar gjerman, që do të marrë rolin e Rummenigges më 1 janar 2022, theksoi se Bayerni nuk ka ndërmend të shpenzojë shuma marramendëse për një lojtar si Haaland, sado i mirë të jetë, kur ka Lewandowskin, i cili mund ta ruajë nivelin e tij edhe për shumë sezone.

Sezonin e kaluar Lewa e mbylli vitin me 55 gola, ndërsa këtë edicion deri më tani ka realizuar 46 në 38 paraqitje.

Prej tyre 39 i ka shënuar në Bundesliga në vetëm 27 paraqitje dhe është kandidati numër një për ta fituar ‘Këpucën e Artë’. 

(Kosova Sot Online )