Prishtina kampione e Kosovës pas tetë viteve pritje

  • A.P /
  • 16 May 2021 - 17:00
Prishtina kampione e Kosovës pas tetë viteve pritje

Prishtina e ka fituar titullin në Superligë për sezonin 2020/21, pasi e mundi 2:1 Gjilanin të dielën, duke i dhënë fund një pritjeje të gjatë prej tetë vjetëve.

Ky është titulli i 11-të për Prishtinën në historinë e klubit, që është rekord në futbollin kosovar.

Hera e fundit kur klubi nga kryeqyteti e fitoi titullin në Superligë, ishte sezoni 2012/13.

Besnik Krasniqi dhe Behar Maliqi ishin kampionët e fundit të Prishtinës dhe ata u rikthyen në klub këtë sezon për ta përsëritur suksesin.

Prishtina udhëtoi të dielën drejt Gjilanit, e vetëdijshme se me një fitore apo edhe me një barazim, do t’i jepte fund përfundimisht pritjes tetëvjeçare për titull.

Dhe këtë e arriti skuadra e Zekirija Ramadanit, duke e mundur 2:1 Gjilanin në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.

Gledi Mici dhe Qëndrim Zyba shënuan për bardhekaltrit, ndërkohë që Arbër Çyrbja realizoi për vendasit.

Prishtina i mblodhi 78 pikë nga 35 ndeshje këtë sezon, pesë më shumë se Drita që e mposhti Drenicën, dhe shtatë më shumë se Ballkani, të cilin e pret në Fadil Vokrri në ditën e fundit të sezonit javën e ardhshme. 

(Kosova Sot Online)