Pasi e fitoi titullin pas 8 vjetësh, FC Prishtina e kujton veç një ish kryeministër

  • S.A /
  • 17 May 2021 - 13:07
Pasi e fitoi titullin pas 8 vjetësh, FC Prishtina e kujton veç një ish kryeministër

FC Prishtina pas tetë vjetësh pritje të dielën e ktheu titullin e kampionit të Kosovës në kryeqytet, ku tashmë gjenden 11 tituj të kampionit, duke e mbajtur “Hyjneshën në fron”, si klubin më të trofeshëm në vend.

“Plisat” dje dolën rrugëve të kryeqytetit për ta festuar titullin dhe festa do të vazhdojë edhe të dielën e ardhshme pas ndeshjes së fundit kampionale. Kjo e tregon etjen e prishtinasve për titull, të cilin nuk e ka fituar shumë moti, përkundër investimeve të mëdha nga drejtuesit e klubit.

Presidenti Remzi Ejupi ka thënë se tani u thye akulli dhe Prishtina do ta dominojë futbollin kosovar në dhjetë vjetët në vijim. E për “agjërimin” tetëvjeçar, donatori tha se ka shumë faktorë të ndryshëm që e kishin lënë Prishtinën pa trofe, duke u ankuar edhe në padrejtësi të ndryshme – nga ana sportive deri te ajo politike.  

“Prishtina e ka pasur problem derisa e theu akullin. Prishtina nuk ka fituar tituj qe tetë vjet, por nuk po përmenden rrethanat e vështirësitë e mëdha që e kanë përcjell Prishtinë gjatë gjithë këtyre viteve. Prishtina nuk ka pasur as stadium as fushë. Prishtina ka luajtur e ka stërvitur gjithandej nëpër Kosovë në mungesë të një fushe në Prishtinë. Me këso telashe jemi përballur nga Shkolla e Futbollit e deri te ekipi i parë. Qe 20 vjet vetëm një kryeministër e ka kuptuar hallin tonë dhe e ka zgjat dorën e ndihmës. Ai është Ramush Haradinaj, i cili i ndau 10 hektarë tokë për ta bërë Prishtina infrastrukturën e saj në Bërnicë ku po e zhvillojmë tani veprimtarinë tonë sportive. Kam kaluar shumë kryeministra e ministra, asnjë tjetër nuk ka qenë i gatshëm të bëjë diçka për sportin siç bëri Haradinaj”, tha Ejupi.

Ai këshillon politikën që ta shfrytëzojë sportin. “Kosova nuk prodhon makina e raketa. E kemi një rini të cilën duhet ta shfrytëzojmë përmes sportit”, është shprehur ai. 

(Kosova Sot Online )