Zyrtare: Dy kosovarët, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli, largohen nga Zurichu

  • S.A /
  • 03 June 2021 - 10:24
Zyrtare: Dy  kosovarët, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli,  largohen nga Zurichu

Klubi zviceran, Zurich ka konfirmuar zyrtarisht se kontratat e dyshes së Kosovës, Benjamin Kololli dhe Hekuran Kryeziu nuk do të rinovohen.

Pas një kohe relativisht të gjatë në klub, dyshja nga Kosova nuk do të jenë më pjesë e Zurichut, pasi drejtuesit nuk do t’ua rinovojnë kontratat.

Është vet klubi i Zurichut që ka konfirmuar një gjë të tillë me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare.

“Si pjesë e planifikimit të skuadrës, ka ndryshime të mëtejshme në FC Zurich. Kontratat e Benjamin Kololli dhe Hekuran Kryeziu nuk do të rinovohen”.

“Ne dëshirojmë të falënderojmë Benjin dhe Hekin për angazhimin e tyre në FCZ dhe t’u urojmë atyre fat të mbarë dhe suksese”, thuhet në njoftimin e Zurichut.

29-vjeçari Benjamin Kololli filloi karrierën e tij të futbollit në FC Sion dhe prej atëherë luajti në Le Mont LS, FC Biel, BSC Young Boys dhe FC Lausanne-Sport para se të transferohej në FC Zurich në verën e 2018.

Reprezentuesi i Kosovës luajti 23 herë me Dardanët, ndërsa me Zurichun zhvilloi 92 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar 26 gola dhe duke asistuar 19 herë. Në anën tjetër, mesfushori qendror Hekuran Kryeziu luajti në rininë e tij në SC Kriens dhe FC Luzern para se të bashkohej me ekipin e parë të FCL në sezonin 2011/2012, ku ai ishte nën kontratë me FC Vaduz përveç një sezoni.

Në verën e vitit 2018, Kryeziu u transferua nga FC Luzern në klubin e qytetit. Lojtari i Përfaqësueses së Kosovës luajti 26 herë me Dardanët ndërsa ka shënuar dy herë për Zurichun në gjithsej 77 ndeshje.

(Kosova Sot Online )