Kurti uron hendbollistet e Kosovës për fitoren e dytë radhazi në kualifikimet për Euro 2022

  • A.P /
  • 04 June 2021 - 23:27
Kurti uron hendbollistet e Kosovës për fitoren e dytë radhazi në kualifikimet për Euro 2022

Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave ka shënuar një tjetër fitore të madhe në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2022.

“Dardanet” mposhtën sot në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve Luksemburgun me rezultat 33:27.

Kjo fitore erdhi pas triumfit të mbrëmshëm ndaj Qipros.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti uroi vashat kosovare për këtë sukses.

Ai tha se Kosova është shtet i diasporës më shumë seç mendohet.

“Hendbollistet e Kosovës sonte ngadhënjyen mbi përfaqësuesen e Luksemburgut me rezultat 33:27. Ishte ky një dominim i vazhdueshëm me lojë tejet të bukur dhe shumë energjike sonte në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Kjo fitore ju bashkangjit asaj të mbrëmshmes mbi ekipin e Qipros në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2022. Në pushim të ndeshjes, bashkë me zëvendës-ministren Daulina Osmani biseduam me tri hendbolliste tonat. Arlinda Hajdari (lindur në 2001, Danimarkë), Areta Istrefi (lindur në 2002, Gjermani) dhe Mirjeta Bytyqi (lindur në 1997, Slloveni). Lojtarja jonë kyçe Arlinda ishte e lënduar dhe po e ndiqte nga tribinat motrën e saj të shkëlqyeshme Marigonën.Në ekipin e Luksemburgut ishte edhe një hendbolliste me mbiemrin Dautaj me prejardhje nga Deçani, kurse selektori dhe trajneri i parë i Kosovës është bashkatdhetari ynë Agron Shabani, i shkolluar në Luksemburg, ku edhe jeton e vepron.Kosova është shtet i diasporës, shumë më tepër seç mendohet. Sa shumë që jemi gjithandej. Dhe, sa shumë që e duam vendin tonë, tek i cili rikthehemi përherë.Urime të gjithëve kjo fitore e vajzave tona hendbolliste!” – shkroi Kurti në Facebook.

(Kosova Sot Online)