Lazio po e përgatit një sulm shqiptar: Shaqiri-Rashica-Muriqi

  • E.K /
  • 07 June 2021 - 15:41
 Lazio po e përgatit një sulm shqiptar: Shaqiri-Rashica-Muriqi

Lazio mund ta ketë një sulm gjithëshqiptar nga sezoni i ri, me Milot Rashicën dhe Xherdan Shaqirin përkrah Vedat Muriqit.

Lazio ka shprehur interesim për përfaqësuesin e Kosovës, Milot Rashica, dhe së fundmi edhe për yllin shqiptar të Liverpoolit dhe Zvicrës, Xherdan Shaqirin.

Rashica do të largohet nga Werder Bremeni, pasi klubi ra nga Bundesliga dhe nga sezoni i ri do të bëjë gara në kategorinë e dytë të futbollit gjerman. Për më tepër, Werderi do të kërkojë të përfitojë nga shitja e 24-vjeçarit nga Vushtrria.

Shaqiri, ndërkohë, thuhet të jetë në mesin e futbollisteve që Liverpoolit do t’i shesë këtë verë. Anësori me prejardhje nga Kosova duhet të gjejë klub të ri këtë verë.   

Përfaqësuesi i Zvicrës u la në stol shumicën e kohës nga trajneri Jurgen Klopp sezonin e fundit dhe, duke qenë se kontrata e tij me klubin mbaron në verën e vitit 2013, tani do të ishte koha e përkryer për të kuqtë që t’i nxjerrin disa prej 15 milionë eurove që ia paguan Stok Cityt për ta blerë Shaqen.

Për Shaqirin ka mjaft klube të interesuara dhe veçanërisht Lazio, sipas gazetës italiane Correiere dello Sport.

Maurizio Sarri pritet të emërohet zyrtarisht në postin e trajnerit të Lazios në ditët në vijim dhe ai ua ka bërë të qartë drejtuesve të klubit nga kryeqyteti italian se dëshiron sulmues në projektin e tij.

Sipas mediave italiane, emrat kryesore në listën e tij janë Rashica dhe Shaqiri.

Nëse arrihet transferimi i tyre, atëherë ata do t’i bashkoheshin sulmuesit të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, në Stadiumin Olimpik, duke e formuar një sulm gjithëshqiptar në Lazio.

(Kosova Sot Online)