Trajneri i Belgjikës: “Favoriti numër një është Anglia, 6 ndeshje i luan në shtëpi”

  • S.A /
  • 11 qershor 2021 - 10:22
Trajneri i Belgjikës: “Favoriti numër një është Anglia, 6 ndeshje i luan në shtëpi”

Roberto Martinez, trajneri i Belgjikës, e ka pranuar se favoriti numër një në “Euro 2020” është Anglia.

Kampionati Evropian do të luhet në disa vende, në stadiume të ndryshme dhe përparësia e Tre Luanëve është se kanë shansin t’i luajnë gjashtë sfida në ‘Wembley’, prej shtatë të mundshmeve nëse arrijnë të shkojnë deri në finale.

Kjo, sipas Roberto Martinez, do ta ndihmojë shumë Anglinë dhe do t’i japë zemër për t’i shkuar deri në fund kësaj gare për herë të parë në histori.

Euro luhet që nga viti 1960 dhe Anglia deri sot, kurrë nuk e ka fituar atë.

“Për mua favoriti numri një është Anglia, do të luajë gjashtë ndeshje prej shtatë të mundshmeve në shtëpi dhe është diçka që i jep përparësi në ditët e sotme duke parë dhe protokollin që kemi të gjithë shkaku i COVID-19”, tha Martinez.

Ai nuk e mohoi faktin se Franca ka një skuadër të fortë gjithashtu, por të qenurit në grup me Portugalinë dhe Gjermaninë, mund t’i shkaktojë probleme.

Belgjika e nis Evropianin të shtunën, kundër Rusisë.

Më pas, të besuarit e Martinez do të kenë punë me Danimarkën dhe në ndeshjen e fundit në Grupin B me Finlandën. 

(Kosova Sot Online )