Teuta dhe Shkëndija i mësojnë kundërshtarët në kualifikime për Ligën e Kampionëve

  • G.G /
  • 15 June 2021 - 13:50
Teuta dhe Shkëndija i mësojnë kundërshtarët në kualifikime për Ligën e Kampionëve

Short i pranueshëm për Teutën në raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League. Goglat e hedhura në Nyon të Zvicrës vunë përballë kampiones së Shqipërisë moldavët e Sheriff të Tiraspolit me Teutën e Edi Martinit që do ta luajë ndeshjen e parë në Niko Dovana në datën 6 ose 7 korrik.

Durrsakët evituan dy skuadra më të frikshme në letër si bullgarët e Ludogorets dhe kazakët e Kairat Almaty ndërkohë që nuk patën fat që shorti t’i vendoste përballë Dinamos së Tbilisit e cila u eliminua nga Tirana një vit më parë.

Sheriff i Tiraspolit është një kundërshtar i njohur për skuadrat shqiptare pasi në të shkuarën ka eliminuar nga Champions League Dinamon dhe Kukësin me këta të fundit që u nxorën jashtë në sajë të golit në fushë kundërshtare, me Pero Pejic që humbi një penallti në minutat e fundit të ndeshjes që mund të kualifikonte verilindorët, ndërkohë që skuadra moldave eliminoi edhe Partizanin nga turi i dytë kualifikues i Europa League me rezultat të përgjithshëm 2-1.

Short jo shumë i favorshëm për Shkëndijën e Tetovës që edhe pse ishte në vazon e skuadrave favorite dhe mund të peshkonte kundërshtarë më të lehtë, goglat e vendosën përballë kampiones së Sllovenisë NS Mura me ndeshjen e parë që Shkëndija do ta luajë në shtëpi.

Teuta nëse mobilizohet maksimalisht dhe zhvillon një merkato cilësore gjatë këtyre javëve i ka të gjitha mundësitë për ta kaluar raundin e parë kualifikues të Championsit dhe nëse ja del do të sigurojë automatikisht pjesëmarrjen në fazën play-off të Conference League, pasi edhe nëse eliminohet në ruandin e dytë të Championsit do të marrë pjesë në raundin e tretë kualifikues të Europa League dhe nëse eliminohet edhe aty skuadra e Edi Martinit do të ketë një tjetër mundësi të artë pikërisht duke luajtur në play-off të Conference League dhe duke qenë vetëm një turr larg kualifikimit në grupet e një kompeticioni madhor.

(Kosova Sot Online)