Prishtina përballet me Ferencvarosin në raundin e parë kualifikues, këto janë datat e ndeshjeve
FC Prishtina ka triumfuar me rezultat të pastër 2:0 ndaj Inter Escaldes në finalen e turit parakualifikues të Ligës së Kampionëve.
Ishte Endrit Krasniqi që shkëlqeu sonte me dy gola duke i dhënë kualifikimin tutje kampiones së Kosovës në futboll. Me këtë fitore, Prishtina siguron kualifikimin në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Aty, Prishtina do të përballet me ekipin nga Hungaria, Ferencvaros që ishte në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve edicionin e kaluar, ku luajti ndaj dy super ekipeve evropiane, Barcelonës dhe Juventusit.
Ferencvaros e mbylli sezonin 2020/21 në pozitën e parë në elitën e futbollit hungarez me 78 pikë, 20 më shumë se vendi i dytë, duke regjistruar 23 fitore, nëntë barazime dhe vetëm një humbje gjatë gjithë edicionit.
Ndeshja e parë mes Prishtinës dhe Ferencvarosit do të zhvillohet në “Groupama Arena” në Budapest me 6 korrik, ndërsa ndeshja e dytë do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” më 13 korrik.
(Kosova Sot Online)
