Anglia dhe Gjermania e rinojnë armiqësinë në Euro

  • S.A /
  • 29 June 2021 - 11:17
Anglia dhe Gjermania e rinojnë armiqësinë në Euro

Anglia dhe Gjermania do ta rinojnë armiqësinë në fushë sot nw përballjen e 1/8 së finales nw Euro 2020, plot 25 vjet pas takimit ta famshëm nw Euro 1996 nw Wembley.  

Anglia dhe Gjermania do të përcaktojnë përfaqësuesen e parafundit çerekfinaliste të edicionit të 16-të të Kampionatit Evropian dhe dy vendet i rikthehen rivalitetit të vjetër ndërmjet tyre, me një përballje të shumëpritur dhe tepër emocionuese, që është e treta në fazat finale të kompeticionit më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër në rang përfaqësuesesh.

Këto dy ekipe kombëtare ritakohen në një sfidë kompetitive për herë të parë pas plot 11 vjetësh, më saktë që nga 27 qershori i vitit 2010 në botërorin e Afrikës së Jugut, në “Bloemfontein”, ku “Mannschaft”-i triumfoi me rezultatin e thellë 4-1 ndaj “Tre Luanëve” të Fabio Capello-s, duel i famshëm ku kryesori uruguaian, Larrionda, bashkë me asistentët e tij, i mohuan një gol të qartë mesfushorit Frank Lampard, ndonëse topi i goditur nga numri 8 i anglezëve e kaloi me afërsisht treçerek metri vijën e portës, në rrethana tepër të veçanta që do të vlenin golin e barazimit që në pjesën e parë, pavarësisht se “Panzer”-at kishin dominuar pothuajse gjatë gjithë fraksionit hapës të atij takimi.

Anglia do të presë kështu Gjermaninë, pasi i mbylli tri sfidat e para të fazës së grupeve pa pësuar as gol. Për herë të fundit “Tre Luanët” ia kishin dalë për të kaluar në fazën e sfidave me eliminim të drejtpërdrejtë në një aktivitet madhor më shumë se gjysmë shekulli më herët, më saktë në Kupën e Botës së vitit 1966, pra pikërisht në botërorin që e organizuan vetë dhe që përfaqëson njëherësh edhe suksesin e vetëm të kombëtares angleze në këtë sport.

Si për ironi të fatit, finalja e madhe e Wembley-t 55 vjet më parë përfaqëson gjithashtu edhe rastin e fundit kur Anglia ia ka dalë për ta eliminuar Gjermaninë apo qoftë edhe Gjermaninë Perëndimore në një përballje “knock out”-i të një aktiviteti madhor, pra Evropian plus Botëror. Mes dy vendeve ka një rivalitet historik, por mbi të gjitha Anglia me Gjermaninë do të matin forcat sërish në Wembley-n mitik, këtë herë në stadiumin e ri, që mban të njëjtin emër, stadium që në vitin 2007 u ngrit ekzaktësisht në të njëjtin vend ku ishte ndërtuar edhe impianti i dikurshëm. Si Anglia ashtu edhe Gjermania kanë mbërritur deri në këtë fazë të kampionatit pa shkëlqyer dhe me pikëpyetje të mëdha, në lidhje me forcën e tyre të vërtetë. Gjithçka mund të ndryshojë, natyrisht pas një dueli të tillë, duke pasur parasysh krahun ku pozicionohen këto dy skuadra përfaqësuese. Tani është e qartë që këto dy përfaqësuese kanë një rast shumë të mirë për të fituar besim dhe bërë përpara, pasi skuadra që do të fitojë këtë ndeshje do të përballet në raundin e ardhshëm me ekipin që do të triumfojë në çiftin tjetër në takimin Suedi – Ukrainë.

Në këtë anë janë gjithashtu edhe Danimarka me Republikën Çeke, prandaj në mënyrë të kuptueshme ekipi kombëtar që do të kualifikohet nga ky duel do të ketë një mundësi të shkëlqyer për të shkuar deri në finalen e madhe të këtij kompeticioni.

Duke përfshirë edhe sfidën e Afrikës së Jugut në fazën e 1/8 Anglia ka fituar vetëm 1 nga 5 përballjet e fundit mes tyre, por gjithsesi katër sfidat e fundit kanë qenë thjesht ndeshje miqësore dhe “Tre Luanët” vazhdojnë të krenohen me suksesin e 26 marsit të vitit 2016, kur Anglia e Roy Hodgson-it përmbysi disavantazhin e fraksionit hapës për të triumfuar përpara 71.400 spektatorëve me shifrat 3-2, brenda në “Olympiastadion” të Berlinit.

Takimi i fundit ndërmjet tyre është luajtur po në Wembley, katër vjet më parë, ku dy ekipet zhvilluan një ndeshje zhgënjyese, duke barazuar pa gola, përpara 81.300 të pranishmëve.

Anglia pra nuk ka pësuar asnjë gol, por në krahun tjetër “Tre Luanët” kanë shënuar thjesht dy të tillë. Vendasit kanë pasur gjatë gjithë kohës avantazhin e faktorit fushë dhe pas vendit të parë në Grupin D ekipi i drejtuar nga trajneri Gareth Southgate do të ketë privilegjin për të luajtur sërish në stadiumin e mirënjohur londinez.

Në kryeqytet, në një lojë pothuajse të barabartë, anglezët mposhtën 1-0 Kroacinë, falë një goli të realizuar nga Raheem Sterling në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa me Skocinë “Tre Luanët” nuk goditën asnjëherë në kuadrat gjatë 45’ të para dhe e përfunduan takimin me vetëm një gjuajtje në portë.

Pas barazimit me rrjeta të paprekura me Skocinë vendasit ia dolën për të mundur minimalisht 1-0 Republikën Çeke, falë një tjetër goli të sulmuesit të Manchester City-t, Raheem Sterling, por gjithsesi edhe në këtë ndeshje anglezët nuk tentuan asnjëherë drejt portës kundërshtare, gjatë gjithë fraksionit të dytë të lojës.

Pavarësisht se ka në dispozicion një kontigjent shumë të mirë futbollistësh 50-vjeçari nga Watfordi është shfaqur përsëri tepër pasiv dhe konservator në aspektin e lojës. Për habinë e të gjithëve drejtuesit e Football Association kanë ndër mend ta konfirmojnë trajnerin Southgate deri në botërorin e ardhshëm, që do të mbahet vitin tjetër në Katar, përgjatë muajve nëntor – dhjetor.

Në krahun tjetër, “Nationalelf” është shfaqur me shumë luhatje, megjithëse, për hir të së vërtetës, “Panzer”-at ishin shortuar në një grup të hekurt. “Mannschaft”-i pati favorin për t’i zhvilluar të tria takimet në “Allianz Arena” të Mynihut, sidoqoftë në takimin hapës vendasit ishin me shumë shumë fat që e humbën ndeshjen me vetëm një gol diferencë, pavarësisht faktit që francezët nuk shënuan vetë por kampionët në fuqi të botës triumfuan falë një autogoli të qendërmbrojtësit Mats Hummels, i pari që ka shkaktuar Gjermania në fazën finale të një kampionati evropian.

Në takimin e dytë skuadra e drejtuar nga trajneri Joachim Low dominoi Portugalinë, duke fituar 4-2, ndërsa në sfidën përmbyllëse vendasit e panë veten jashtë Evropianit për plot një orë lojë dhe “Mannschaft”-i ia doli për të shënuar golin e kualifikimit vetëm në 84’, me anë të mesfushorit të Bayernit, Leon Goretzka.

Te Anglia bie në sy shterpësia e kapitenit Harry Kane, sidoqoftë dilema të mëdha janë ngritur gjithashtu edhe në lidhje me dyshen Mason Mount – Ben Chilwell, të cilët qëndruan të izoluar deri një ditë përpara këtij takimi për të respektuar masat anti-covid. “Tre luanët” kanë humbur katër sfidat e fundit me eliminim të drejtpërdrejtë në këtë aktivitet, ndonnse kanë shënuar të parët brenda 5’ të para në plot tri prej këtyre ndeshjeve.

Në 11 sfidat kompetitive Evropian plus botëror Gjermania kryeson bilancin me 4 fitore, 4 barazime e 3 humbje, ndërkaq duke shtuar edhe sfidat miqësore statistikat e përgjithshme të 32 ndeshjeve janë krejtësisht të barabarta me nga 13 fitore për secilën prej tyre dhe 6 barazime. Takimi Angli – Gjermani do të mbahet pra në Wembley, në orën 18:00, dhe do të drejtohet nga kryesori holandez Danny Makkelie, ndërkohë dueli tjetër që mbyll përfundimisht fazën e 1/8 Suedi – Ukrainë do të luhet në mbrëmje, në orën 21:00 në “Hampden Park” të Glasgow-t, dhe do të drejtohet nga italiani Daniele Orsato.

(Kosova Sot Online )